Mbrojtësi i Vllaznisë Elmando Gjini është përzgjedhur nga trajneri i kombëtares Silvinjo për ndeshjen ndaj Polonisë në kuadër të fazës “play-off” për Kupën e Botës 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, trajneri Silvinjo do të bëjë publike listën e lojtarëve të grumbulluar ditën e shtunë, më 21 mars, në orën 10:00, ndërsa në orën 11:00 do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Ndërkohë, lajmin për praninë e Elmando Gjinit në listën e grumbullimit të kombëtares, e ka bërë të ditur presidenti i KF Vllaznia Alban Xhaferi, ekskluzivisht për emisionin Studio Sport, transmetuar mbrëmjen e së mërkurës në RTSH Shkodra.
Informacioni i përcjellë nga ana e presidentit Xhaferi është pritur mirë nga pjesëtarët e panelit në studio: Rudi Vata(ish kapiteni i kombëtares), Giuljo Zefi(Ish atlet dhe trajner kampion i atletiëks dhe pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, si dhe komentatori sportiv, Edmond Dibra.
Sipas Rudi Vatës, rikthimi nga Superliga e Kosovës në kampionatin shqiptar të Superiores, i ka shërbyer për mirë mbrojtësit Gjini, i cili nga ndeshja në ndeshje ka ardhur duke e rritur në mënyrë të ndjeshme nivelin e tij sportiv.
Krahas të tjerave, Rudi Vata, e konsideron si shumë pozitive thirrjen e Gjinit në kombëtaren e Shqipërisë, edhe për kolegët e tij tek Vllaznia dhe më gjërë, sepse me punë, këmbëngulje dhe përkushtim, rruga e kombëtares është e hapur për çdo futbollist, duke shërbyer me këtë rast edhe si nxitje për të vazhduar të punojnë edhe më me passion në stërvitje dhe ndeshjet zyrtare.
Grumbullimi zyrtar i Kombtares do të nisë më 23 mars, ditëN e hënë, kur do të zhvillohet dhe seanca e parë stërvitore në prag të sfidës me Poloninë.
Kuqezinjtë do të zbresin në fushë më 26 mars për t’u përballur me Poloninë, ndërsa më 31 mars Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës ndaj fituesit ose humbësit të çiftit mes Ukrainë/Suedi.
Gaspër MARKU



