Bylis ka fituar në shtëpi përballë Flamurtarit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiore” me rezultatin 2-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i vlonjatëve, Andi Ribaj.
“Normal që ka zhgënjim. Të bësh gol në minutën e 94-të dhe loja kishte mbaruar, vajti shtesë mbi shtesë, nuk e kuptova. Janë të gjithë të zhgënjyer, për mënyrën si shkoi fundi.
Do pranohej barazimi? Ne ishim përgatitur për fitore, por edhe 1 pikë do ishte mirë për të vazhduar më tej kampionatin.
E kishim studiuar Ballshin. Në pjesën e parë numrin 6 të tyre, ia kishim kërkuar Ramanit ose Diavaras për të shkuar pranë tij. Por nuk është se pantëm ndonjë problem, sepse s’na krijuan diçka të madhe. Numri 76 i tyre u bë si sulmues dhe sulmuesi i krahut, hapej, mbyllej, vinte edhe mbrojtësi i krahut të djathtë. Në pjesën e parë, në krahun tjetër nuk kishim problem.
Ata janë lojtarët e mi, të gjithë kanë bërë gabime, të gjithë kanë luajtur mirë. Më vjen keq pasi nga java me Elbasanin e deri në këtë javë, jemi dënuar nga goditjet standarde, nuk kemi pasur ndonjë problem tjetër. Mendoj që ishte mungesë përqendrimi, jemi goditur nga goditjet standarde. E punuam këtë javë, i folëm, e shpjeguam. I punuam në stërvitje, por ndodhi sërish e njëjta gjë, shpresoj që në vazhdimësi mos të kemi të tilla probleme.
Zëvendësimet dhe titullarët? Për pjesën e lojtarëve mendova për Kasën që është një lojtar që mban topin dhe futet në qendër, Bolzan i bën vertikalizimet. Me këtë të fundit doja të tërhiqja, të hapej hapësirë dhe Ememe me Kasën të shkonin drejt zonës.
Penalltia nga Trashi në fund, naivitet apo presion? Trashi është lojtar me eksperiencë, na ka ndihmuar shumë këtë kampionat. Nuk e di, arbitri ka dhënë një shtesë mbi shtesë, duhet të ishim të përqendruar, e ka shkaktuar nga momenti”, tha Ribaj.


