Saturday, November 30, 2024

Euro 2020-Dita e shtatë/ Tulipanët ecin më tej, mundin Austrinë 2-0 dhe shkojnë në raundin tjetër

Lexo

Portokallinjtë mundin 2-0 Austrinë dhe i bashkohen Italisë dhe Belgjikës. Dy skuadrat që i kishin fituar takimet e para në grupin C, Austria dhe Hollanda, janë përballur të enjten në mbrëmje me njëra-tjetrën në takimin që u luajt në Amsterdam dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, ndeshja që ka nisur e baraspeshuar, ka marrë një tjetër udhë në minutën e 10-të, kur Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) ka akorduar një 11-metërsh në favor të portokallinjve vendas dhe Depai ruan gjakftohtësinë, duke përshëndetur rrjetën.

Ndonëse Austria do të mundohet të përpiqet, është Hollanda që ndërton rastet më të volitshme për të shënuar dhe ato nuk kanë munguar, por ajo që ka munguar ka qenë saktësia në finalizim. Për rrjedhojë, 45 minutat e para të kësaj përballjeje janë mbyllur me epërsinë minimale të vendasve. Ato të dytat janë më të hapura në lojë, me austriakët që kërkojnë golin që mund të rihapte takimin, ndërsa holandezët shfrytëzojnë kundërsulmin për të gjetur atë gol të dytë që mund të vuloste fitoren. Dhe e kanë gjetur këtë gol 23 minuta para fundit, pikërisht pas një kundërsulmi, me anë të Dumfries.

Hollanda mund kështu Austrinë 2-0 dhe siguron që tani edhe matematikisht vendin në turin e 16-shes së “Euro 2020”-ës, duke u bërë skuadra e 3-të që e arrin një gjë të tillë pas dy ndeshjeve të para.

STATISTIKA

Hollanda ka fituar secilën nga dy garat e saj të para në një Kampionat Europian për herë të tretë, pas suksesit në 2000 dhe 2008.

Pasi ka humbur të tri ndeshjet në fazën e grupeve në EURO 2012, Hollanda mbetet e pamposhtur në nëntë ndeshjet në vazhdim në turnetë e mëdhenj ndërkombëtarë (Europian + Kupa e Botës), seria më e gjatë për një ekip europian nga 12 të regjistruara nga Portugalia, mes 2014 dhe 2018.

Austria ka humbur pesë nga tetë ndeshjet e zhvilluara në Kampionatin Europian (1fitore, 2 barazime), gjithashtu në fazën e grupeve.

Denzel Dumfries është lojtari i dytë që shënon në secilën prej dy ndeshjeve të tij të para europiane për Hollandën, pas Ruud van Nistelrooy në 2004.

Diferenca në moshë prej 19 vjetësh dhe 236 ditësh midis Maarten Stekelenburg (38 vjet, 268 ditë) dhe Ryan Gravenberch (19 vjeç, 32 ditë) është më e madhja ndonjëherë midis dy shokëve të ekipit në një ndeshje të Kampionatit Europian.

Memphis Depay ka marrë pjesë në 11 gola në nëntë paraqitjet e tij të fundit për Hollandën (tetë gola, tre asistime).

Hollanda ka shënuar të paktën dy gola në nëntë ndeshje radhazi për herë të parë që nga maji i vitit 1935, ata kurrë nuk kanë bërë më mirë.

Me penalltinë e Memphis Depay, janë tri të tilla që jepen në tre ndeshjet e Kampionatit Europian të sotëm, numri më i madh në një ditë të vetme në këtë garë që nga viti 1980 (së bashku me atë të Ruslan Malinovsky me Ukrainën dhe Ezgjan Alioski me Maqedoninë e Veriut)

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img