Komuniteti i sportit shqiptar, e veçmas ai i futbollit, ka marrë një lajm të trishtë, kur pasditen e së mërkurës ka mësuar ndarjen nga jeta në moshën 77 vjeçare të ish-arbitrit të futbollit i njohur ndërkombëtar, Hiqmet Kuka.
Lajmi në fjalë ka prekur thellë, jo vetëm botën e futbollit në tërësi, por sidomos kolegët e tij të kryeqytetit, por edhe të rretheve, me të cilët ai bashkëpunoi për shumë vite me radhë.
Për ndarjen nga jeta të ish-arbitrit të FIFA-s, ka reaguar edhe institucioni më i lartë i futbollit shqiptar, FSHF, ku përmes Presidentit Armand Duka, përcjell mesazhin ngushëllues për familjen Kuka, dhe gjithë komunitetit të arbitrimit.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Hiqmet Kukës, një prej emrave më të shquar të arbitrimit shqiptar dhe një figurë që i dha shumë futbollit tonë.
Kontributi i tij si arbitër i FIFA-s dhe profesionalizmi që e karakterizonte do të mbeten një referencë për brezat e rinj.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kuka, miqve dhe gjithë komunitetit të arbitrimit.
U prehtë në paqe!”, shkruan presidentin Duka.


