Kjo video, që ju ftojmë ta ndiqni është aksioni i golit që shënoi tre ditë më parë Albi Shpuza, si pjesë e kombëtares U-19 që drejtohet nga trajneri Armando Cungu në miqësoren ndaj kombëtares U-21 me trajner Alban Bushin.
Goli i marrë nga një kamer amatore në dy plane, tregon qartë klasin e Albi Shpuzës, jo vetëm në momentin e goditjes së topit që është një spektakël më vete, por po aq me vlerë është aksioni i golit, loja me topin, përpunimi, zhvendosja nga e djathta në të majtë, dhe në finale një e majtë potente nga distanca e lëshuar nga Shpuza që përfundon aty ku portjerët nuk kanë çfarë t’i bëjnë, në trekëndëshin e sipërm të portës kundërshtare.
Nëse do të shënohej një gol i tillë në ekipet huaja, vemendja mediatike do të kishte qënë maksimale. Megjithatë, ne bëjmë punën tonë, me shpresën që ajo çfarë ne pasqyrojmë bën efektin e duhur në opinionin publik.
Nuk besoj se ka shumë nevojë për komentin tonë, pasi video flet vetë, shikojeni dhe shijojeni, dhe pastaj jepni gjykimin tuaj. A meriton vemendje ky djalosh i ri, pjesë e një familje plot traditë futbollistike, djali i ish futbollistit shkodran, sot trajnerit dhe menaxherit, Luan Shpuza, si dhe nipi i të mirënjohurit Zamir Shpuza, ish futbollist i Vllaznisë, Partizanit, Buduçnostit, kampionatit gjerman dhe i kombëtares shqiptare, i ndarë para kohe nga jeta pak vite më parë.
Fillimisht pjesë e Vllaznisë së moshave, në vijim titullar në KF Shkodra, dhe sot në listën e kombëtares U-19, ku në 4 ndeshje ka shënuar 5 gola, ndërkohë që në kampionatin shqiptar të Superligës së moshave U-19 ka shënuar 9 gola me uniformën e KF Shkodra.
Nga të dhënat e marra, por të konfirmuara edhe nga vetë futbollisti, në Shkodër nuk ka asnjë vemendje. Vllaznia kërkon sulmues duke i marrë nga ana e anës dhe me shuma të majme financiare, ndërkohë që për djemtë e saj ka pak ose aspak vemendje për t’i promovuar dhe rritur me uniformën kuqeblu.
Dhe, atë që nuk po e bëjnë drejtuesit e Vllaznisë, me të gjitha gjasat do ta bëjnë ato të skuadrave të tjera të Superiores, ku sipas informacionit njëra prej skuadrave të elitës, dhe pikërisht FK Kukësi e ka vënë në shënjëstër për ta bërë pjesë të tyre.