Federata e Futbollit përmbylli me sukses kursin UEFA B të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, ku u diplomuan trajnerët e rinj, mes tyre futbollistë aktivë dhe ish-futbollistë të njohur.
Gjatë këtij kursi, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik, duke u përgatitur në mënyrë profesionale për sfidat e trajningut modern.
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave ishin të pranishëm koordinatori për çështjet teknike nga zyra e Presidentit të FSHF-së, Abdyl Kuriu, koordinatori dhe lektori i kurseve në FSHF, Alban Tafaj, si edhe kryetari i Shoqatës Rajonale të Elbasanit, Ilirjan File. Për zonën e Elbasanit, ky ishte kursi i dytë UEFA B, një mundësi shumë e vlefshme për zhvillimin profesional të trajnerëve të rinj.
Gjatë aktivitetit foli edhe koordinatori dhe lektori i kurseve në FSHF, Alban Tafaj, i cili vlerësoi nivelin dhe përkushtimin e kursantëve gjatë gjithë programit të trajnimit.
“Erdhëm në momentin vendimtar të diplomimit të gjithë kursantëve të UEFA B. Vazhdon projekti i FSHF, ku licenca shkon te trajneri, jo trajneri te licenca. Në projektin tonë në të gjithë zonat që mbulojmë me UEFA B, ky është kursi i dytë i zhvilluar në këtë nivel. Ishin përfaqësues të klubeve, trajnerë në terren dhe futbollistë profesionistë që do t’u shërbejë, me përfundimin e karrierës futbollistike, në vazhdimësinë e tyre për të ndjekur rrugën e bukur dhe të rëndësishme të trajnimit”, – tha Alban Tafaj.
Prej vitesh, Federata e Futbollit vijon të dëshmojë përkushtim në zhvillimin e brezit të ri të trajnerëve, duke organizuar kurse kualifikuese në të gjithë vendin dhe duke kontribuar në rritjen e standardeve të futbollit shqiptar.


