Kampionati Kombëtar i Futsales ka rezervuar këtë fundjavë një përballje shumë interesante. Vllaznia kryesuese e tabelës së klasifikimit pret në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” ekipin e Flamurtarit të Vlorës.

Një duel ky që ia vlen për t’u parë edhe nga fakti se në fushë ballafaqohen Vllaznia kampionë në fuqi dhe Flamurtari fitues i Kupës së Shqipërisë, të cilin e pati fituar brenda në Shkodër duke mundur Vllazninë në finale.
Veriu Sport ndoqi nga afër seancën e fundit stërvitore, anti-Flamurtari, e cila e drejtuar nga kapiteni-trajner i Vllaznisë Futsal Alsid Tafili dhe drejtori sportiv, Arben Xhaferi, iu kushtua përgjithësisht strategjisë me të cilën kuqeblutë do të shpalosin në fushën e lojës për të mposhtur vlonjatët, ashtu siç bënë edhe në ndeshjen e fazës së parë në Vlorë duke fituar me rezultatin 4 me 5.
Semir Gokaj, njëri prej titullarëve kryesorë të Vllaznia Futsal, i cili më herët ka luajtur për Flamurtarin ku edhe ka fituar dy trofe, një Kampionat dhe një Kupë, shprehet optimist se kuqeblutë do të dalin fitues.
Madje, Gokaj shkon edhe më tej, duke deklaruar se me këtë ecuri kaq pozitive të kampionatit, Vllaznia Futsal, garanton plotësisht se do të përsërisë suksesin e sezonit të kaluar duke sjellë në Shkodër titullin kampion.
Në mbyllje, Semir Gokaj, flet edhe për përvojën si trajner i futbollit të moshave ku prej pesë vitesh bashkëpunon me shumë sukses me KF Shkodra.
Sfida, Vllaznia Futsal-Flamurtari Futsal, luhet të shtunën e 9 majit në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” duke nisr prej orës 19:30.
(Video) Prononcimin e plotë të titullarit të futsales shkodrane Semir Gokaj, si dhe pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë Futsal, e fundit para sfidës me Flamurtarin mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


