Në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur së fundmi Alsid Tafili. Aktualisht pjesë e Vllaznia futsallë si lojtar dhe trajner, ish-mesfushori kuqeblu ka komentuar shkodranët në Superiore. Ish-kapiteni i Vllaznisë është ndalur tek ndeshja e fundit ndaj Flamurtarit, duke e cilësuar më shumë si sukses për moralin. Teksa ai ndalet edhe tek “kapriçot” e rregullores përsa i përket verdikteve që mund të jepen në “fi nal 4”. Ndër të tjera Tafili thekson se Vllaznia ka gjitha mundësitë për titullin kampion, por skuadra duhet të rrijë totalisht larg presionit. Ndërsa thekson se 9 herë kampionët e vendit kanë skuadrën më të mirë në Shqipëri dhe se ky është sezoni i duhur për suksesin final.
Tafili, Vllaznia e mbylli me fitore sezonin e rregullt, e vlefshme apo jo?
Besoj se vlen shumë në aspektin moral dhe atë psikologjik të ekipit, pasi skuadra kishte disa ndeshje radhazi që nuk po merrte rezultate pozitive. Tashmë ky sukses duket se rikthen humorin dhe pozitivitetin, por edhe një bonus prej 100 milionë lekësh që mund t’i shërbejnë klubit në të ardhmen. Ajo që më kënaqi më tepër në ndeshjen kundër Flamurtarit ishte aktivizimi i të rinjve dhe protagonizmi i tyre, ku në skenë doli Aris Ara. Që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe meriton vlerësime, por ndoshta prisja pak më shumë minuta edhe për Kubazin, Tafi lin apo të rinjtë e tjerë aty. Megjithëse edhe Martini ndoshta s’donte të rrezikonte me shumë elementë të rinj në fushën e lojës.
Të duket Vllaznia në “avantazh” ndaj ekipeve të tjera në “Final 4”?
Nuk shoh ekipe shumë të favorizuara apo avantazhuara, por në opinionin tim personal them se Vllaznia ka skuadrën më të mirë në kampionat. Çdo gjë do vendoset në ndeshjen e fundit mes dy ekipeve, Vllaznisë dhe Elbasanit, e po t’i kapim kokë më kokë futbollistët, shkodranët kanë një skuadër më të kompletuar dhe cilësore se verdheblutë. Këtu mund ta bëjë diferencën ekipi i Martinit, duke nxjerrë në pah aftësitë e futbollistëve që njihen në kampionatin shqiptar. Tashmë është momenti të tregohet gjithçka dhe të luhet në 110% sepse ndoshta edhe 100% nuk mjafton. Pasi edhe kundërshtarët e Vllaznisë do jenë po aq të karikuar sa kuqeblutë. Por, prapë e them, më duket se më shumë se askush tjetër këtë titull e do Vllaznia dhe kjo mund të jetë vendimtare në fund.
Endri ÇINARI


