“Final Four” do të ngrejë siparin këtë fundjavë në stadiumin “Air Albania”, aty ku katër skuadrat më të mira të sezonit do të nisin garën për titullin kampion të “Abissnet Superiore”.
Dy sfidat e para premtojnë spektakël dhe rivalitet të fortë, teksa përballë do të jenë skuadra që janë njohur mirë me njëra-tjetrën gjatë këtij sezoni, jo vetëm në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë.
Vllaznia dhe Dinamo City do të përballen të shtunën, më 16 maj, në orën 19:00, në duelin e shtatë mes tyre për këtë sezon. Në gjashtë përballjet e mëparshme, bilanci është mjaft i ekuilibruar.
Në katër ndeshjet e kampionatit, Dinamo City fitoi takimin e parë 3-1, ndërsa Vllaznia triumfoi në dy sfidat e tjera me rezultatin 1-0 dhe 2-0. Një tjetër përballje u mbyll në barazim 0-0.
Dy skuadrat u përballën edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë në transfertë përfundoi 1-1, ndërsa Dinamo City siguroi kualifikimin në finale pas fitores minimale 1-0 në Shkodër.
Edhe sfida tjetër e “Final Four” pritet të jetë shumë e luftuar. AF Elbasani dhe Egnatia do të zbresin në fushë të dielën, më 17 maj, në orën 19:00, në përballjen e tyre të shtatë sezonale.
Katër ndeshjet e kampionatit kanë prodhuar rivalitet të fortë dhe ekuilibër të plotë. AF Elbasani fitoi një takim 1-0, ndërsa tre sfidat e tjera përfunduan në barazim, respektivisht 1-1, 2-2 dhe 0-0.
Rrugët e dy skuadrave u kryqëzuan edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të dyja ndeshjet përfunduan në barazim 1-1, ndërsa Egnatia siguroi kualifikimin vetëm pas goditjeve të penalltive.
“Final Four” pritet të sjellë emocione të mëdha për tifozët shqiptarë, me katër skuadra që kanë zhvilluar një sezon të fortë dhe që synojnë trofeun e kampionit në fund të këtij edicioni.
Biletat për ndeshjet e “Final Four” mund të blihen online në ebileta.al, si edhe në pikën fizike pranë stadiumit “Air Albania”.
Përballjet direkte Vllaznia – Dinamo City 2025/26
Dinamo City – Vllaznia 3-1
Vllaznia – Dinamo City 1-0
Dinamo City – Vllaznia 0-2
Vllaznia – Dinamo City 0-0
Dinamo City – Vllaznia 1-1
Vllaznia – Dinamo City 0-1
Përballjet direkte AF Elbasani – Egnatia 2025/26
Egnatia – AF Elbasani 1-1
AF Elbasani – Egnatia 1-0
Egnatia – AF Elbasani 2-2
AF Elbasani – Egnatia 0-0
Egnatia – AF Elbasani 1-1
AF Elbasani – Egnatia 1-1 (2-4 pen.)


