Pas dhjetë ditësh garash emocionuese, turneu i volejbollit amator që mblodhi së bashku të rinjtë e Shkodrës do të ulë siparin nesër, më 19 qershor, me finalen mes skuadrave Thunder Team dhe Elite, e cila do të zhvillohet në orën 18:30. Pas ndeshjes do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Turneu, i zhvilluar nga data 9 deri më datë 19 Qershor, u organizua nga Kishat Ungjillore “Shpresë për Shkodrën” dhe “Nxënësit e Jezusit”. Një nga veçoritë e këtij aktiviteti ishte përfshirja e djemve dhe vajzave në të njëjtat skuadra, duke promovuar frymën e bashkëpunimit, respektit dhe miqësisë.
Ndeshjet u zhvilluan në fushën sportive të oborrit të konviktit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, një investim i Bashkisë Shkodër që po shërben si një hapësirë e rëndësishme për aktivitetet sportive dhe rinore.

Nisma të tilla janë një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar rininë shkodrane, për të promovuar vlerat pozitive të sportit dhe pse jo për të nxjerrë në pah talentet e reja që meritojnë të mbështeten dhe të zhvillohen.



