Vllaznia vijon lëvizjet në merkato për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri dhe veçanërisht për ndeshjet e Kupave të Evropës.
Sipas raportimeve të fundit Rrok Toma është shumë pranë transferimit te skuadra shkodrane.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se sulmuesi 22-vjeçar do të largohet nga Partizani në formë huazimi dhe do ti bashkohet Vllaznisë për aventurën evropiane.
Marrëveshja fillestare parashikon që Toma të jetë pjesë e kuqebluve gjatë rrugëtimit në Kupat e Evropës megjithëse nuk përjashtohet mundësia që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më gjatë në varësi të zhvillimeve të mëvonshme.
Toma konsiderohet një nga sulmuesit më premtues të futbollit shqiptar.
Ai është pjesë e rregullt e Kombëtares shqiptare U21 dhe synon që në të ardhmen të fitoj një vend edhe në ekipin e parë të Shqipërisë.
Për futbollistin kalimi te Vllaznia do të sjellë edhe një ribashkim me trajnerin Edi Martini.
Të dy kanë bashkëpunuar më parë te Teuta periudhë në të cilën tekniku shkodran ka vlerësuar potencialin dhe cilësitë e sulmuesit.
Me afrimin e mundshëm të Rrok Tomës Vllaznia synon të shtojë alternativat në repartin ofensiv dhe të paraqitet sa më e fortë në sfidat evropiane që e presin gjatë verës.
Fatos LAMAJ


