Kanë përfunduar pushimet verore për ekipet e AF Vllaznia, ku që prej pasdites të së hënës kanë nisur proçesin stërvitor për sezonin e ri 2026-2027.
Si zakonisht, stadiumi “Reshit Rusi” i qytetit të Shkodrës është streha e ekipeve të moshave, aty ku përgjegjësi i terreneve sportive, Aranit Gjika, një nga punonjësit model dhe shumë korrekt të këtij impianti ka pasur në gatishmëri të plotë fushën, dhomat e zhveshjes, bazën materiale, etj.
Nisin kësisoj përgatitjet për një rrugëtim të gjatë, me stërvitje dhe ndeshje zyrtare, ku objektivi i përhershëm vijon të jetë, ai i fitimit të trofeve kombëtare dhe më së shumtmi, evidentimin e talenteve në shërbim të ekipit të parë.
I pranishëm në ditën e parë stërvitore ka qënë edhe drejtori i AF Vllaznia, Alban Hasani, i cili pasi ka bërë një takim kokë më kokë me stafet teknike të skuadrave përkatëse, ka ndjekur prej së afërmi edhe seancën e parë stërvitore për dy nga ekipet e grupmoshave përkatëse.
Krahas kontigjentit të sezonit të kaluar, ekipet e Akademisë Vllaznia pritet të freskohen edhe me elemente të tjerë, për të cilën drejtuesit kanë nisur fazën e seleksionimeve.
Ndërkohë, janë mësuar edhe trajnerët që do të drejtojnë 8 ekipet konkuruese të AF Vllaznia për sezonin e ri futbollistik 2026-2027.
Ato janë: Arben Parmeza U-9, Safet Osja dhe Florind Bardulla për U-11, Ylad Pirani U-13, Malvin Meçarovi dhe Gjengis Bandula U-14, Edmond Doçi U-15, Valdano Nimani dhe Ardit Mesi U-16, Haris Dalipi dhev Ivo Shestani U-17, si dhe Haris Lika së bashku me Khaled Hoxha në ekipin U-19.
(Video) Pamje nga seanca e parë stërvitore e ekiepeve të AF Vllaznia për sezonin e ri futbollistik 2026-2027.
Gaspër MARKU


