Mesfushori 31-vjeçar e mbyll me përfaqësuesen, do të përqendrohet tek karriera me Realin e Madridit
Eliminimi i Gjermanisë në turin e 16-shes së “Euro 2020”-ës përballë Anglisë, sinjalizoi edhe fundin e një epoke për përfaqësuesen e saj. Dhe pas trajnerit Joakim Lëv, i cili sidoqoftë e kishte deklaruar kohë më parë vendimin, edhe Toni Kros ka bërë të ditur tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar. Mesfushori i Realit të Madridit, e bëri të ditur njoftimin e tij të premten pasdite, ndërsa e luajtur ndeshjen e fundit të martën, në atë humbje historike 0-2 në “Uembli” përballë Anglisë.
31-vjeçari, i cili luajti të parën e 106 ndeshjeve me përfaqësuesen në 2010-ën, ishte pjesë e skuadrës së Gjermanisë që ngadhënjeu në Botërorin e 2014-ës në Brazil. “Kam luajtur 106 ndeshje për Gjermaninë dhe nuk do të ketë më një tjetër”, – shkruante Krosi në një postim në rrjetet sociale, duke vijuar: “Shpresoja ta mbyllja me 109 ndeshje dhe të fitoja të tjetër trofe madhor, kurorën e kampionit të Evropës. Dhe dhashë gjithçka që ta bëjë realitet këtë dëshirë.
E kisha marrë prej kohësh vendimin për t’u tërhequr pas kësaj veprimtarie dhe e kisha të qartë që nuk do të isha Botërorin e 2022-it në Katar.” Në vijim futbollisti gjerman theksonte se dëshironte “të përqendrohej plotësisht tek objektivat me Realin e Madridit për vitet e ardhshme”, si dhe të kalonte më tepër kohë me familjen e tij.
Përveç atij triumfi në Botërorin e Brazilit, Toni Krosi ishte pjesë e përfaqësueses së Gjermanisë që u rendit e 3-ta në Botërorin e 2010-ës dhe arriti në finale të “Euro 2012”-ës, por ka qenë pjesë edhe dështimeve si ai i Botërorit të 2018-ës dhe Evropiani i këtij viti. Ai e nisi karrierën me klubet tek Bajerni i Mynihut në 2007-ën, duke luajtur më tepër se 200 ndeshjen me gjiganden bavareze, përpara se të kalonte tek Reali i Madridit në 2014-ën.