Nga Fatos LAMAJ – (Intervista) Në Lezhë kërkojnë Superioren! Plori: “Dua një skuadër me karakter, disiplinë dhe mentalitet fitues”. Tekniku shkodran i lezhjanëve, flet për vazhdimësinë e projektit, analizën e sezonit të kaluar, merkaton, fazën përgatitore, objektivat e skuadrës dhe pritshmëritë e një kampionati mjaft konkurues

Lexo

- Reklamë -spot_img

Pas një sezoni të suksesshëm ku Besëlidhja arriti objektivin e rikthimit në Kategorinë e Parë klubi lezhjan ka nisur përgatitjet me ambicie të reja për edicionin 2026-2027.

Në krye të skuadrës vazhdon të jetë Elvis Plori i cili do të drejtojë ekipin për sezonin e dytë radhazi me synimin për të konsoliduar projektin dhe për ta bërë Besëlidhjen një nga skuadrat pretendente të kampionatit.

Në këtë intervistë të dhënë për Veriu Sport trajneri Plori ndalet te vazhdimësia e projektit, analiza e sezonit të kaluar, merkatoja, faza përgatitore, objektivat e skuadrës dhe pritshmëritë për një kampionat që pritet të jetë mjaft konkurrues.

Tashmë jeni në sezonin e dytë në drejtimin e Besëlidhjes. Sa e rëndësishme është për ju vazhdimësia e këtij projekti?

Është shumë e rëndësishme. Vazhdimësia të jep mundësinë të ndërtosh diçka të qëndrueshme dhe jo vetëm të mendosh për rezultate afatshkurtra. Sezonin e kaluar hodhëm themelet e këtij projekti dhe tani kemi mundësinë ta zhvillojmë më tej. Ndihem i vlerësuar për besimin që më është dhënë dhe do të bëj maksimumin për ta shpërblyer atë.

Si e vlerësoni sezonin e kaluar dhe çfarë mendoni se duhet përmirësuar këtë vit?

Sezoni i kaluar ishte shumë pozitiv. Arritëm objektivin kryesor dhe mbi të gjitha krijuam një grup të bashkuar, me mentalitet fitues dhe një frymë që u reflektua edhe te tifozët. Megjithatë, gjithmonë ka vend për përmirësim. Duhet të jemi më të qëndrueshëm gjatë gjithë kampionatit, më efikasë në momentet vendimtare dhe të rrisim nivelin e lojës në çdo aspekt.

Pas një viti pune me skuadrën sa më e lehtë është puna juaj në ndërtimin e grupit?

Sigurisht që është më e lehtë. Tani njoh më mirë karakterin dhe cilësitë e çdo lojtari, ndërsa edhe ata e njohin filozofinë time të punës. Kjo na kursen kohë dhe na lejon të përqendrohemi më shumë te përmirësimi i detajeve sesa te ndërtimi nga e para.

A do të ketë ndryshime të rëndësishme në organikën e ekipit apo do të mbështeteni te baza e sezonit të kaluar?

Baza e skuadrës do të ruhet, sepse ajo e ka merituar besimin me paraqitjet e sezonit të kaluar. Natyrisht, futbolli kërkon gjithmonë freski dhe konkurrencë, ndaj do të bëjmë afrimet e nevojshme për të rritur cilësinë dhe alternativat në çdo repart.

Cilat janë objektivat konkrete të Besëlidhjes për sezonin e ri?

Objektivi ynë është të ndërtojmë një skuadër konkurruese që të luftojë në çdo ndeshje. Nuk duam të vendosim kufij, por synimi është të jemi sa më lart në renditje dhe të përfaqësojmë denjësisht emrin e Besëlidhjes. Ambicia është gjithmonë të përmirësohemi dhe të luftojmë për objektivat më të mëdhenj.

Besëlidhja është një klub me histori dhe tifozëri të madhe. A ndjeni më shumë presion apo motivim nga kjo përgjegjësi?

Më shumë motivim. Kur drejton një klub si Besëlidhja e kupton peshën e fanellës dhe përgjegjësinë ndaj tifozëve. Ky është një stimul për të dhënë maksimumin çdo ditë. Presioni është pjesë e futbollit, por ne duhet ta kthejmë atë në forcë pozitive.

Si po ecën faza përgatitore dhe a jeni i kënaqur me përkushtimin e lojtarëve?

Jam i kënaqur me mënyrën se si po punon skuadra. Lojtarët kanë treguar seriozitet dhe përkushtim maksimal. Kemi ende punë për të bërë, sepse përgatitjet shërbejnë pikërisht për të arritur nivelin optimal para fillimit të kampionatit.

Në merkato cilat jan repartet ku mendoni se skuadra ka nevojë për përforcime?

Po analizojmë çdo repart me kujdes. Nuk na intereson të bëjmë afrime vetëm për numra, por lojtarë që sjellin cilësi dhe rrisin konkurrencën brenda grupit. Nëse gjejmë profilin e duhur, do të ndërhyjmë aty ku e shohim të nevojshme.

Çfarë identiteti dëshironi të ketë Besëlidhja në fushë këtë sezon?

Dua një skuadër me karakter, disiplinë dhe mentalitet fitues. Një ekip që luan futboll pozitiv, që nuk dorëzohet kurrë dhe që lufton për çdo top deri në sekondën e fundit. Besoj se ky është identiteti që tifozët duan të shohin.

Kampionati pritet të jetë i fortë. Si e shihni konkurrencën dhe rivalët kryesorë?

Mendoj se do të jetë një kampionat shumë i balancuar dhe i fortë. Ka skuadra që janë përforcuar dhe çdo ndeshje do të jetë e vështirë. Ne respektojmë çdo kundërshtar, por fokusi ynë kryesor është te Besëlidhja dhe te mënyra si do të paraqitemi ne në fushë.

Sa rëndësi do t’i kushtoni promovimit të talenteve të reja?

Shumë rëndësi. Besoj se një klub duhet të investojë te lojtarët e rinj dhe t’u japë mundësi atyre që e meritojnë. Nëse një futbollist i ri tregon cilësi, përkushtim dhe është gati për nivelin e parë, ai do ta ketë gjithmonë derën e hapur në skuadër.

Cili është mesazhi juaj për tifozët e Besëlidhjes që do të jenë pranë skuadrës këtë sezon?

Dua t’i falënderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë dhe t’u kërkoj të vazhdojnë të jenë pranë nesh. Ata janë një forcë shumë e madhe për këtë skuadër. Nga ana jonë premtojmë përkushtim maksimal, punë të ndershme dhe një ekip që do të luftojë me zemër për fanellën e Besëlidhjes në çdo ndeshje.

Intervistoi: Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img