Vllaznia e futbollit femra është në përgatitjet e fundit për sfidat Europiane. Në pritje të ballafaqimit me kampionen sllovene Spartak Myjava për turin e dytë të “UEFA Women’s Champions League”, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka ka zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin e Apolonisë, edhe kjo një skuadër e kampionatit shqiptar që do të luajë në Kupat e Europës.
Ndeshja e luajtur pasditen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës është mbyllur me rezultatin 2 me 3 në favor të ekipit mysafir nga Fieri.
Për trajnerin e Vllaznisë Nikolin Leka, ekipi i tij vjen pas një faze përgatitore me ngarkesa të larta në qytetin e freskët të Pukës, dhe futbollistet, akoma nuk janë ambientuar me fushën e lojës.
Megjithatë, deri në përballjen e datës 5 gusht ndaj kampiones sllovene Spartak Myjava, Leka është optimist që skuadra do të vijë në formën e duhur për të dhënë më të mirën në fushën e lojës.
Përballjen gjysmëfinale me ekipin slloven Spartak Myjava, Vllaznia do ta luajë me datë 5 gusht në stadiumin “Stelios Kyriakides” Panhos-Qipro duke nisur prej orës 20:30. Fituesja e kësaj sfide do të përballet në finalen e grupit 6 eleminator me fituesen e gjysmëfinales tjetër, Apollon Ladies(Qipro) dhe Czarni(Poloni).
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Vllaznisë, Nikolin Leka, si dhe pamje nga ndeshja miqësore, Vllaznia-Apolonia, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.


