Nga BUJAR QESJA – In memoriam – Besim Moku kamera u ndal kujtimi mbetet

Lexo

- Reklamë -spot_img

Ka njerëz që ikin nga kjo botë, por mbeten të gjallë në kujtesën e atyre që i kanë njohur. Ka profesionistë, që nuk maten vetëm me vitet e punës, por me gjurmën që lënë në profesion dhe në zemrat e kolegëve. Një i tillë ishte Besim Moku, operatori i njohur i televizionit, njeriu i kamerës, i cili, pas një beteje tetëmujore me sëmundje të rëndë e të pashërueshme, mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas dhimbje, respekt dhe emër që nuk do të harrohet.

Besim Moku lindi në Shijak më 17 korrik 1965. Ishte pjesë e brezit të parë të operatorëve televizivë, që u formuan me ardhjen e demokracisë dhe të mediave të lira në Shqipëri. Në një kohë kur televizioni privat sapo hidhte hapat e para dhe gjithçka ndërtohej me pasion, sakrificë dhe idealizëm, Besimi u bë nga figurat më të palodhura të këtij realiteti të ri.

Karrierën e nisi në Shijak TV, televizioni që u bë shkolla e parë e shumë gazetarëve dhe operatorëve të rinj. Më pas vazhdoi rrugëtimin profesional në televizionin Adria 2, ku pata fatin ta njoh nga afër dhe të bashkëpunoj për vite me radhë. Çdo mëngjes, në emisionin ku pasqyrohej shtypi i ditës dhe zhvilloheshin biseda telefonike me publikun, Besimi ishte njeriu që qëndronte pas kamerës, por që në të vërtetë ishte nga shtyllat e padukshme të suksesit të emisionit.

I qetë, i përkushtuar dhe gjithnjë korrekt, e njihte profesionin në çdo hollësi. Nuk kërkonte të binte në sy. E linte kamerën të fliste. Për të, çdo plan filmik ishte përgjegjësi dhe çdo kronikë detyrë ndaj publikut.

Më vonë hapi në Durrës Foto Studio “Kristal”, hapësirë ku puna e tij mori dimension tjetër. Aty realizoi qindra montazhe, përpunoi materiale filmike, u shërbeu klientëve me përkushtim dhe vazhdoi të jetonte me kamerën në dorë. Nuk u shkëput asnjëherë nga profesioni. Punoi edhe në News 24, ndërsa ndihmesë të veçantë, dha edhe në filmimet e ekipeve të moshave për Federatën Shqiptare të Futbollit, duke ndjekur me të njëjtin pasion edhe zhvillimin e sportit shqiptar.

Besimi ishte gjithmonë aty ku ishte ngjarja. Në terren, në stadiume, në veprimtari kulturore, në kronikat e përditshme. Ishte ndër ata operatorë, që nuk njihnin orar. Kur kishte lajm, ishte i pranishëm. Kur duhej sakrificë, nuk tërhiqej. E kuptonte, se informacioni i shpejtë dhe i saktë kërkonte lodhje, durim dhe përkushtim.

Por, mbi të gjitha, Besim Moku ishte njeri. Me kolegët ndërtoi marrëdhënie të rralla. Ishte i dashur, i respektueshëm, i urtë dhe me humor të pastër, që e bënte të mirëpritur kudo. Nuk mbante mëri, nuk ngrinte zërin, nuk krijonte konflikte. Përkundrazi, ishte nga ata njerëz që afronin të tjerët dhe krijonin atmosferë miqësore në çdo redaksi ku punonte.

Për mua kishte respekt të veçantë. Më drejtohej gjithmonë me fjalën “Bacë”, thirrje e ngrohtë që shprehte edukatën dhe respektin për moshën dhe përvojën time si gazetar. Ishte fjalë që vinte nga zemra dhe që sot, më tingëllon edhe më e dhimbshme.

Moku ruajti lidhje vëllazërore me shumë operatorë e kolegë të profesionit, ndër ta Beniamin Çyçekun, Nebi Vlashin, Tristan Sherifin, Gëzim Domin, Pjetër Sinanin dhe shumë të tjerë. Ata nuk i bashkonte vetëm profesioni. I bashkonte respekti, sakrifica dhe dashuria për kamerën, për lajmin dhe për të vërtetën.

Pas vetes Besimi la familjen e tij të dashur, bashkëshorten Merushe dhe dy djemtë, Endrin dhe Enean. Për ta, ishte jo vetëm bashkëshort e baba shembullor, por edhe mësuesi i parë i punës së ndershme. Me krenari ua përcolli dashurinë për profesionin dhe dëshirën, për të vazhduar rrugën që kishte ndërtuar me aq mund e përkushtim.

Tetë muajt e fundit të jetës, i kaloi duke luftuar me një sëmundje të rëndë. E përballoi me dinjitet, pa u ankuar dhe me të njëjtën qetësi, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Edhe në ato ditë të vështira, mbeti Besimi që njihnim të gjithë, njeri i fortë në shpirt, i dashur me miqtë dhe i mbushur me mirënjohje për jetën.

Kur largohet një operator si Besim Moku, nuk shuhet vetëm një jetë. Mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë së televizionit lokal dhe i medias shqiptare. Ishte pjesë e një brezi pionierësh që ngritën me mund, sakrificë dhe profesionalizëm, themelet e televizioneve private në vendin tonë.

Trashëgimia që lë, nuk matet vetëm me mijëra orë filmime, kronika apo montazhe. Matet edhe me shembullin e njeriut të mirë, të kolegut besnik, të profesionistit që e deshi punën më shumë se lavdinë dhe që e kuptoi, se kamera nuk është thjeshtë një pune, por dëshmitare e kohës.

Besim Moku meriton të kujtohet gjithmonë. Për punën kolosale që kreu. Për profesionalizmin e spikatur. Për humorin e tij të pastër. Për shpirtin shoqëror. Për përkushtimin e rrallë ndaj profesionit. Për dashurinë ndaj familjes. Për respektin që fitoi me ndershmëri dhe punë.

Njerëzit si ai, nuk ikin asnjëherë plotësisht. Ata mbeten në kujtimet e kolegëve, në pamjet që kanë filmuar, në ngjarjet që kanë përjetësuar dhe në mirënjohjen e brezave që do të vijnë.

Lamtumirë Besim Moku!

Kamera jote u ndal, por vështrimi yt mbi jetën do të mbetet i gjallë përgjithmonë. Drita që ndeze përmes objektivit tënd nuk do të shuhet, sepse ajo jeton në kujtesën tonë dhe në historinë e gazetarisë shqiptare.

Bujar Qesja

Durrës: 27 korrik 2026

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img