Vllaznia- Spartak Myjava 1-2(Shënuese: Megi Doçi 74’/Andrea Bogorova 42’, Katarina Vredikova 68’)

Vllaznia e vajzave nuk ia doli të siguronte finalen e grupit në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League. Vajzat kuqeblu u mposhtën me rezultatin 2-1 nga Spartak Myjava në sfidën e zhvilluar në Qipro.
Skuadra sllovake kaloi në avantazh në minutën e 42-të, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1. Spartak Myjava realizoi edhe golin e dytë në minutën e 68-të duke marrë kontrollin e sfidës.
Vllaznia reagoi në minutën e 74-t me kapitenen Megi Doçi, e cila shënoi me një goditje të fuqishme nga distanca, e devijuar nga portierja, që e dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, shkodranet nuk arritën të gjenin golin e barazimit deri në fund.
Pas këtij rezultati, Vllaznia do të luajë më 8 gusht ndaj Apollon Limassol, në ndeshjen e fundit të këtij raundi.


