Vllaznia e sezonit 2026-27 pritet të ketë një fytyrë ndjeshëm të ndryshme nga ajo që u pa në kampionatin e kaluar. Kuqeblutë kanë bërë një sërë ndryshimesh në organikë dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt edhe në formacionin që po projektohet për ndeshjen e parë të kampionatit.
Nëse krahasojmë 11-shen e sezonit 2025-26 me atë që po formohet aktualisht, janë plot 8 ndryshime në formacionin bazë. Ndryshimi nis që nga porta. Sezonin e kaluar katërkëndorin kuqeblu e mbronte Pohls, ndërsa këtë edicion gjithçka duket se po shkon drejt një zgjedhjeje të re.
Aron Jukaj është aktualisht kandidati kryesor për të qenë gardiani titullar, duke marrë kështu një rol shumë më të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Edi Martini. Edhe në mbrojtje panorama është krejt tjetër.
Në sezonin 2025-26, treshja më e zakonshme përbëhej nga Erdenis Gurishta, Gjini dhe Bajrami, por nga këta tre, vetëm Gurishta ka “mbijetuar” në formacionin e sezonit të ri. Përkrah tij, Martini po projekton Çelikoviç dhe Randi Dumfur, duke krijuar një repart me dy fytyra të reja dhe me një eksperiencë të njohur siç është ajo e Gurishtës.
Ndryshime të rëndësishme ka edhe në krahët e mesfushës. Në të djathtë, sezonin e kaluar aktivizohej kryesisht Lirim Kastrati, ndërsa këtë herë vendi i titullarit po i besohet momentalisht Sokol Uldedajt. Në krahun tjetër situata është e ngjashme: nëse në edicionin 2025-26 ishte Jago një nga zgjedhjet kryesore, këtë sezon Emiljano Musta duket se po projektohet për atë pozicion. Në qendër të mesfushës ndryshimet janë po aq të mëdha.
Treshja që luante më së shumti sezonin e kaluar përbëhej nga Krymi, Qato dhe Kallaku. Nga kjo treshe, në formacionin e ri ka mbetur vetëm Qato, ndërsa tashmë ai po formon repartin me Dros dhe Kobiljar. Një tjetër ndryshim që tregon qartë se Vllaznia e re po ndërtohet mbi një strukturë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar. Në sulm, megjithatë, ka një konstante. Bekim Balaj mbetet pika e referimit dhe lideri i repartit ofensiv, ashtu si edhe në sezonin 2025-26.
Por ndryshimi vjen te partneri i tij. Në edicionin e kaluar, kapiteni kishte zakonisht përkrah Esat Malën, ndërsa tashmë vendi tjetër në repartin e avancuar është kthyer në një garë të hapur mes Edon Muratajt, Tounkaras dhe Perezit. Në total, janë 8 ndryshime në formacionin e mundshëm titullar krahasuar me sezonin e kaluar.
Nga porta te mbrojtja, krahët, mesfusha dhe partneri i Balajt, Vllaznia ka ndryshuar ndjeshëm pamje. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo “fytyrë” e re do të sjellë edhe një Vllazni më konkurruese në sezonin 2026-27, ku objektivi është që kuqeblutë të rikthehen protagonistë në kampionat.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL


