Egnatia ka mbyllur aventurën në UEFA Europa League pas humbjes 2-1 ndaj Lillestrøm në ndeshjen e kthimit të play-off-it, në një sfidë që u vendos vetëm pas kohës shtesë.
Rrogozhinasit e nisën shumë mirë takimin dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 32-të me Elion Sotën, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0. Egnatia u mbrojt mirë dhe administroi avantazhin, por Lillestrøm arriti të barazojë në minutën e 82-të me Foss, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë, pas barazimit 0-0 në Rrogozhinë.
Në minutën e 94-t, Olsen shënoi golin e dytë për skuadrën norvegjeze, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë Lillestrøm kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League.
Pavarësisht eliminimit, Egnatia vijon aventurën europiane. Kampionët e Shqipërisë kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League, duke garantuar kështu edhe gjashtë ndeshje europiane në këtë fazë të kompeticionit.
Tashmë vëmendja kthehet te shorti i fazës së ligës së UEFA Conference League. Shorti do të hidhet nesër, më 28 gusht, në orën 13:00, në Monaco, ku Egnatia do të mësojë kundërshtarët e saj në këtë fazë.


