Veleçiku-Vllaznia B 0-1(Shënues: Ersi Zaganjori 33’)
Vllaznia B vazhdon në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e saj në kampionat,duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në dy javët e para të sezonit.
Skuadra shkodrane e drejtuar nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Ersi Çaku, ka triumfuar me rezultatin minimal 1-0 përballë Veleçikut,në ndeshjen e zhvilluar pasditen e sotme në Koplik falë një perle të Ersi Zaganjorit, goditja e të cilit shkoi direkt në rrjetën e portjerit vendas Elsaid Nika.
Një futbollist ky i dalë nga Akademia e Futbollit Vllaznia, me një përvojë në ekipin e parë dhe i zhvendosur në Kosovë për hapësira më të shumta loje, si dhe më pas rikthim në kampionatin shqiptar për të mbërritur këtë sezon përsëri në gjirin e kuqebluve, për momentin të B-së, por që mund të ketë vend edhe në ekipin e parë.
Një takim i luftuar nga të dyja skuadrat ku diferencën në fund e bëri goli i Ersi Zaganjorit.
Futbollisti i Vllaznisë B arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe realizimi i tij rezultoi vendimtar për fatin e gjithë takimit,duke i dhënë kuqebluve tre pikë të tjera.
Veleçiku kërkoi të reagonte dhe të rikthente baraspeshën por Vllaznia B arriti të administronte avantazhin dhe ta çonte deri në fund rezultatin 1-0.
Për skuadrën shkodrane kjo është fitorja e dytë në po aq ndeshje të zhvilluara.
Në javën e parë Vllaznia B kishte mposhtur gjithashtu 1-0 Tërbunin falë golit të Turai ndërsa këtë herë ishte Zaganjori ai që mori rolin e protagonistit.
Dy ndeshje dy fitore gjashtë pikë dhe asnjë gol i pësuar janë shifrat e Vllaznisë B në këtë fillim kampionati.
Një start pozitiv për kuqeblutë të cilët po tregojnë soliditet në prapavijë dhe efikasitet në momentet vendimtare të ndeshjeve.
Fitorja në Koplik konfirmon kështu momentin e mirë të Vllaznisë B që vazhdon rrugëtimin me pikë të plota pas dy javëve të para të kampionatit.
(Video) Goli i fitores për Vllazninë B shënuar nga Ersi Zaganjori dhe pamje nga ndeshja Veleçiku-Vllaznia B.
Fatos LAMAJ


