Kombëtarja shqiptare e Futsallit ka fituar me rezultatin 4-2 ndaj Turqisë në ndeshjen e dytë miqësore mes dy skuadrave, të zhvilluar në parkun olimpik “Feti Borova”, në Tiranë.
Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me Shqipron Brahimin, ndërsa Turqia përmbysi përkohësisht rezultatin me dy gola. Kombëtarja shqiptare barazoi shifrat me Ermir Kryeziun, duke e mbyllur pjesën e parë në barazim 2-2.
Në pjesën e dytë, Shqipëria kaloi sërish në avantazh me Qendrim Bakian, ndërsa Ermir Kryeziu shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për kuqezinjtë, duke vulosur fitoren 4-2.
Kështu, Kombëtarja shqiptare e Futsallit e mbyll me një fitore serinë e dy ndeshjeve miqësore ndaj Turqisë, të zhvilluara në Tiranë.


