E planifikuar të zhvillohet më datë 23 tetor në Tiranë, ndeshja e boksit profesionist në mes kampionit shqiptar Jurgen Uldedaj dhe ish-kampionit të botës Blake Caparello, është shtyrë për një datë tjetër.
Shkak për këtë shtyerje është bërë situata konfuze që po kalon vendin ynë dhe kryesisht kryeqyteti i Tiranës gjatë protestave të studentëve para kryeministrisë, ndërkohë që edhe vete kampioni shqiptar Uldedaj mësohet të ketë pësuar një dëmtim gjatë stërvitjes së ditëve të fundit në sparring.

Njoftimin për shtyerjen e kësaj ndeshje e bëjnë të ditur boksieri Jurgen Uldedaj si dhe babai i tij Tonin Uldedaj, i cili prej vitesh kujdeset për djalin e tij edhe në pozitën e menaxherit.
Tonin Uldedaj
Të dashur miq dhe sportdashës,
Për shkak të situatës së krijuar ditëve të fundit në vendin tonë, eventi ndërkombëtar i boksit i planifikuar në datën 23 tetor në Tiranë do të shtyhet, për t’u zhvilluar në një datë tjetër më të përshtatshme. Datë të cilën, pas konsultimit edhe me partnerët ndërkombëtar dhe IBO, do ta njoftojmë së shpejti.
Ne respektojmë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, ashtu siç respektojmë edhe punën e palodhur të institucioneve dhe Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë partnerët, miqtë dhe sportdashësit për mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë treguar deri tani. Duke ju siguruar që bashkëpunimi dhe angazhimi ynë kundrejt jush do të vazhdojë sipas dakortësive po njësoj edhe në datën e re që do të caktohet.
Si dhe të gjithë ata që kanë blerë bileta, ju bëjmë me dije se ato do të jenë të vlefshme për datën e re të eventit.
Jam i bindur se shumë shpejt do të jemi përsëri bashkë për një mbrëmje të madhe boksi, ashtu siç e meriton sporti shqiptar dhe sportdashësit.
Me respekt dhe mirënjohje,
Tonin Uldedaj
Jurgen Uldedaj
Të dashur miq dhe sportdashës,
Me keqardhje ju njoftoj se ndeshja ime për mbrojtjen e titullit Kampion Bote IBO, e planifikuar për më 23 tetor në Tiranë, kundër ish-kampionit të botës Blake Caparello, do të shtyhet për një datë tjetër.
Gjatë përgatitjeve kam pësuar një dëmtim në stërvitje (sparring), nga i cili pritet të rikuperohem shumë shpejt. Duke marrë parasysh këtë dëmtim, si dhe situatën e pazakontë që po kalon Tirana, në bashkëpunim me organizatorët dhe IBO-n, është marrë vendimi për shtyrjen e eventit.
Të mbroj titullin botëror në vendin tim, përpara publikut shqiptar, është një ëndërr dhe një moment që e kam pritur prej shumë kohësh. Dua që kjo përballje historike të zhvillohet në kushtet më të mira, ashtu siç e meriton çdo shqiptar.
Dua t’ju siguroj se ndeshja nuk është anuluar, por vetëm shtyrë. Shumë shpejt do të njoftoheni për datën e re të ndeshjes, e cila do të zhvillohet brenda këtij viti, në Tiranë. Të gjithë ata që kanë blerë bileta do të informohen gjithashtu për detajet përkatëse.
Falënderoj nga zemra të gjithë tifozët, sponsorët, partnerët, institucionet dhe organizatorët për mbështetjen dhe mirëkuptimin. Më vjen keq për të gjithë ata që kishin planifikuar të ishin të pranishëm më 23 tetor.
Rikthimi im në ring, përpara jush, do të duhet të presë edhe pak. Por një gjë është e sigurt: dua ta mbroj titullin botëror në shtëpinë time, përpara shqiptarëve!
Jurgen Uldedaj
IBO World Cruiserweight Champion



