Java e tetë e kampionatit “Abissnet Superiore” ishte në fokusin e emisionit “Analizë Superiore”, në episodin e radhës në FSHF TV. Emisioni solli një analizë të detajuar të pesë ndeshjeve të javës, me vëmendje te rezultatet, momentet vendimtare dhe aspektet taktike që ndikuan në ecurinë e takimeve.
Nën drejtimin e moderatorit Jurgen Zela dhe me analizën e video-analistit të FSHF-së, Xhoen Tugu, emisioni u ndal te zhvillimet kryesore të javës së tetë, duke i shqyrtuar ndeshjet përmes pamjeve filmike, statistikave dhe episodeve më të rëndësishme të lojës.
Një nga rezultatet më të spikatura të kësaj jave ishte fitorja 2-0 e Skënderbeut në transfertë ndaj Partizanit. Skuadra korçare kaloi në avantazh me anë të Totres, nga pika e penalltisë në minutën e 56-të, ndërsa Janaqi vulosi suksesin në minutën e 89-të. Analiza u ndal te ndërtimi i lojës nga prapavija, rastet e krijuara dhe episodi që solli fitimin e penalltisë për Skënderbeun.
Në takimin tjetër, Laçi siguroi një fitore minimale 1-0 ndaj Vorës. Goli i Kurtit në minutën e 73-të vendosi fatin e ndeshjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përballjes mes Vllaznisë dhe Tiranës, e cila përfundoi me fitoren 2-0 të shkodranëve. Përmes pamjeve të ndeshjes, u analizuan organizimi mbrojtës i Tiranës, daljet në kundërsulm dhe aksionet që çuan në golat e skuadrës shkodrane.
Përballja mes Teutës dhe Elbasanit përfundoi në barazim pa gola, 0-0. Pavarësisht mungesës së golave, të dyja skuadrat krijuan momente interesante gjatë takimit. Java e tetë u mbyll me fitoren 2-1 të Dinamo City ndaj Egnatias. Analiza taktike u përqendrua te mënyra se si Egnatia arriti të kalonte presingun e kundërshtarit, te ndërtimi i aksioneve të Dinamo City dhe te hapësirat e shfrytëzuara nga skuadra kryeqytetase për të realizuar golat.
Përmes analizës taktike, statistikave dhe pamjeve filmike, “Analizë Superiore” në FSHF TV solli një këndvështrim më të detajuar mbi ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore”, duke evidentuar momentet vendimtare dhe elementet e lojës që ndikuan në rezultatet e javës.


