Portieri i Kombëtares shqiptare, Simon Simoni, ndan përvojën profesionale me kursantët e kursit UEFA Goalkeeper B

Portieri i Kombëtares shqiptare, Simon Simoni, ishte i ftuar përmes një lidhjeje online në Bllokun 4 të kursit UEFA Goalkeeper B, organizuar nga Departamenti i Edukimit në FSHF.

Gjatë këtij takimi, Simoni ndau me kursantët eksperiencat e tij profesionale, duke folur për rrugëtimin nga futbolli i moshave te nivelet e larta të futbollit europian. I formuar pranë ekipeve të Shënkollit, ai vijoi karrierën te Dinamo, përpara se të transferohej në Gjermani, ku u bë pjesë e Eintracht Frankfurt. Më pas, eksperiencat me Ingolstadt dhe Kaiserslautern, si dhe kalimi në kampionatin zviceran te FC Luzern, i kanë dhënë mundësinë të njohë nga afër kultura dhe metodologji të ndryshme futbollistike.

Bashkëbisedimi u përqendrua te procesi i zhvillimit të një portieri, rëndësia e punës individuale dhe roli i trajnerit të portierëve në formimin e lojtarit. Simoni ndau gjithashtu përvojat e tij mbi dallimet në metodologjitë e stërvitjes në Shqipëri, Gjermani dhe Zvicër, si dhe kërkesat teknike, taktike e psikologjike që shoqërojnë futbollin profesionist.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe ndërveprimi me kursantët, të cilët patën mundësinë t’i drejtonin pyetje portierit të Kombëtares dhe të diskutonin mbi përvojat e tij me trajnerët gjatë etapave të ndryshme të karrierës.

Përmes aktiviteteve të tilla, Departamenti i Edukimit në FSHF synon të pasurojë formimin e trajnerëve me eksperienca konkrete nga futbolli profesionist, duke afruar njohuritë teorike dhe metodologjitë bashkëkohore me përvojën praktike të lojtarëve që aktivizohen në nivele të larta.

 

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe