(Video) Mundja shkodrane e drejtuar nga trajneri Altin Anza shkëlqen në Kampionatin Kombëtar të moshave. Enes Anza i Vllaznisë shpallet sportisti më i mirë i aktivitetit U17. Eglis Mhillaj dhe Jasir Cekaj kampion kombëtar në peshat 65 dhe 85 kg

Mundja shkodrane vazhdon të shkëlqejë në aktivitetet kombëtare por edhe ndërkombëtare, në të cilat po korrë suksese duke fituar tituj dhe medalje individuale dhe ekipore.

Nën drejtimin e kryetrajnerit Altin Anza, i cili po vazhdon traditën e babait të tij, ish kampionit të Vllaznisë Ali Anza, ekipet e mundjes të klubit sportiv Vllaznia po bëjnë një paraqitje shumë të mirë në veprimtaritë kombëtare.

Suksesi më i fundit ishte në Kampionatin Kombëtar të moshave për kategorinë U15 dhe U17 ku mundësit shkodranë spikatën për përgatitjen e tyre duke u ngjitur në podiumin e fituesve.

Në ndeshjet e zhvilluara në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit, figurën më të mirë sportive e bëri Enes Anza, i cili në vazhdën e titujve kampionë të fituar në edicionet e mëparshme, ky kampionat tregoi edhe një herë nivelin e tij gjithnjë e në rritje.

Konkurimi i Enes Anzës i përkiste kategorisë së 17 vjeçarëve për peshën e rëndë deri në 92 kilogram. Një peshë, që për hirë të së vertetes ishin grupuar edhe mundësit më të mirë të kampionatit duke e bërëv garën edhe më të bukur. Kampioni në fuqi Enes Anza arriti të mbyllë me sukses duke dalë fitues në të gjitha ndeshjet, një pjesë e të cilëve me tuç, çka tregon epërsinë dhe spektaklin e dhuruar në tapet.

Krahas titullit kampion në peshën deri në 92 kilogram, falë nivelit të lartë të paraqitur në duelet e peshës së tij, gjyqtaria e kampionatit e shpalli sportistin e Vllaznisë Enes Anza mundësin më të mirë të kampionatit duke e nderuar me një kupë personale.

Një sukses ky që përligj traditën e mundjes në familjen Anza, kur kemi parasysh se Enesi është brezi i tretë i kësaj familje, djali i trajnerit të sotëm të Vllaznisë Altin Anza si dhe nipi i ish kampionit të Vllaznisë, Ali Anza që sot nuk jeton, por prapa ka lënë një karrierë të pasur sportive.

Duke vijuar me Kampionatin Kombëtar për kategorinë e moshës U17, Vllaznia nxori edhe një kampion tjetër. Ai është Eglis Mhillaj i cili u rendit i parë në konkurimin e peshës deri në 65 kg.  Duke qëndruar në këtë kategori U17, figurë të mirë sportive bëri edhe mundësi i peshës super të rëndë deri në 110 kilogram Everest Nika, i cili u rendit në vendin e tretë, ndërkohë që kolegu i tij kuqeblu Alvaro Malaj i peshës deri në 92 kilogram u rendit në vendin e katërt.

Një prezantim shumë të mirë bëri Vllaznia edhe në konkurimin e kategorisë së moshës U15, nga gjiri i së cilës doli kampioni Jasir Cekaj, konkurues në peshën deri në 85 kilogram, ndërkohë që Unejs Hafizi u rendit në vendin e tretë.

 (Video) Pamje të ndeshjeve të mundësve të Vllaznisë në Kampionatin Kombëtar të moshave xhvilluar në Durrës, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe