Tirana mposht Skënderbeun 3-2 dhe ngjitet në vendin e tretë! Superiore-Java e 13-të

Tirana-Skënderbeu 3-2(Shënues: Lagonidis 27’, Daci 28’,  Redon Xhixha 34’/ Braga 39’, Musa 93’) 

Tirana ka mar një fitore të rëndësishme në javën e 13-të të Abisnet Superiore duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 3-2 në një ndeshje spektakolare të mbushur me emocione dhe gola.

Me këtë sukses bardheblutë ngjiten përkohësisht në vendin e tretë të renditjes duke konfirmuar ambiciet e tyre për të qenë mes skuadrave pretendente.

Pjesa e parë ishte e jashtëzakonshme me pesë gola të shënuar dhe një ritëm të lartë nga të dyja skuadrat.

Tirana goditi tri herë brenda pak minutash duke krijuar përshtypjen se do të kishte një mbrëmje të qetë.

Fillimisht ishte Lagonidis, i cili në minutën e 27-të dërgoi topin në rrjetën e gabuar duke i dhënë avantazhin bardhebluve.

Vetëm një minutë më vonë Daci dyfishoi shifrat ndërsa në minutën e 34-të Redon Xhixha realizoi golin e tretë duke e çuar rezultatin në 3-0.

Megjithatë Skënderbeu nuk u dorëzua dhe reagoi në mënyrë të menjëhershme.

Braga shënoi një gol spektakolar në minutën e 39-të duke rihapur takimin ndërsa në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë ishte Musa që realizoi golin e dytë për korçarët duke rikthyer emocionet dhe duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 3-2.

Në fraksionin e dytë të dyja skuadrat kërkuan golin ndërsa rastet nuk munguan në të dyja portat.

Skënderbeu u përpoq të gjente golin e barazimit ndërsa Tirana synoi të shfrytëzonte hapësirat për të mbyllur përfundimisht llogaritë e takimit.

Megjithatë rrjetat mbetën të paprekura deri në vërshëllimën përfundimtare.

Në fund Tirana feston një fitore me shumë vlera duke siguruar tri pikë të rëndësishme dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë me 19 pikë.

Skënderbeu mbetet pas bardhebluve me 17 pikë duke e bërë edhe më interesante garën në renditjen e Abisnet Superiore.

Fatos LAMAJ

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe