Shkodranët i mbajnë mend mirë 5 vëllezërit “Gruda” futbollistë të Vllaznisë, Selmanin, Xhabirin, Azizin, Bujarin dhe Shpëtimin. Që të pestë shumë të njohur për talentin e tyre të lindur si futbollistë, karriera e të cilëve varion fillimisht tek Vllaznia, në skuadra të tjera të Shqipërisë, dhe në vijim për shumë vite në futbollin gjerman. Fatkeqësisht, tani janë katër, pasi sot ka ndërruar jetë përpara kohe, në moshën 60 vjeçare, Azizi. Pikërisht, në Gjermani, atje ku jetonte prej shumë vitesh mësohet se Azizi ndërroi jetë duke mos ia dalë të mposhtte nj sëmundeje të rëndë që e mundonte shumë gjatë periudhës së fundit. Lajmi për ndarjen nga jeta të Aziz Grudës bëhet i ditur nga KF Vllaznia, i cili në postimin e përcjellë në faqen zyrtare të klubit kuqeblu, shkruan:
IN MEMORIAM/ NDAHET NGA JETA ISH- MESFUSHORI AZIZ GRUDA
Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 60 vjeçare ish- futbollisti i Vllaznisë Aziz Gruda. Lojtari që ka kontribuar për disa vite me rradhë në sukseset e skuadrës tonë, duke e shpallur edhe kampione atë në sezonin 1991-92, vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe si rrjedhojë nuk ka mundur dot t’i rezistojë duke i dhënë lamtumirën familjes së tij, por edhe të gjithë njerëzve të njohur në një moshë të re. Kjo padyshim që është një humbje e madhe edhe për KF Vllaznia, i cili i gjendet pranë familjarëve dhe të afërme të tij në këtë moment të vështirë.
I përjetshëm qoftë kujtimi yt Aziz Gruda!
Sa i përket karrieres sportive të Aziz Grudës si futbollist duhet thënë se ai ishte pjesë e Vllaznisë në vitet 80-të ku edhe është shpallur kampion kombëtar me kuqeblutë në në sezonin 1991-92 përkrah emrave të tillë shumë të njohur si, Hysen Dedja dhe Hysen Zmijani, Zamir Shpuza, Alban Noga, Fasli Fakja, Ardian Barbullushi, Agron Lika, Astrit Premçi, Edmir Bilali, Astrit Gjoni, Bujar Gruda, me trainer, Astrit Hafizin dhe Esat Rakiqin.
Në vitin 1992, së bashku me disa ish-futbollistë të tjerë të Vllaznisë, nuk u rikthyen më në Shqipëri pas rënies së sistemit komunist. Një vizitë sportive në Francë në 1992 bëri që lojtarët të emigronin në vende të ndryshme të Europës. Gruda ka qenë pjesë e suksesit të Vllaznisë në 1991-92.
Veriu Sport, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes “Gruda” për ndarjen nga jetë të njeriut të tyre të dashur, dhe po kështu edhe futbollit shkodran dhe më gjërë për humbjen një figurë që kontribuoi shumë për këtë sport në vite.