Tek Vllaznia duket se ka një çështje që ka të bëjë me brazilianin Viktor Da Silva. Shkak për një ftohje mes dy palëve duket se është ana financiare. Më saktë duhet thënë se shqetësimi në këtë mes vjen nga Da Silva, sipas të cilit Klubi i Futbollit Vllaznia nuk ka qënë korrekt në lidhje me likujdimin e pagesave mujore të futbollistit bazuar në atë çfar është shkruar në kontratë.
Nga sa bëhet e ditur, duke qenë se palët ishin nën kontratë edhe për një vit, përfaqësuesi ligjor i futbollistit, ka kërkuar qartësimin e situatës së rrogave dhe ditën se kur do të shlyhen ato.
Mësohet se braziliani pas përfundimit të kampionatit ka pretenduar se Vllaznia duhet t’i kalojë 5 paga si detyrim për vitin e parë të kontratës. Pasi priti për disa ditë një përgjigje në rrugë zyrtare nga klubi, agjenti i Da Silvës nuk u ndal me kaq. Në momentin që Vllaznia nuk e sqaroi zyrtarisht me email për detyrimet, atëherë çështja shkoi në institucionin e futbollit shqiptar, Federatën Shqiptare të Futbollit.
Burimet pranë futbollistit si dhe FSHF-së, sqaruan se në këto rrethana, duke qënë se ka disa muaj pa u paguar, futbollistit Da Silva i lind e drejta për të zgjidhur kontratën.
Por, në këtë mes, pasi është vënë në dijeni për ankesën në fjalë, drejtuesit e Vllaznisë kanë reaguar direkt, duke shlyer Da Silvën pjesërisht.
Pas likuidimit të disa pagave njëherësh, lojtari i është bashkuar skuadrës në fazën përgatitore në prag të ndeshjeve në Ligën e Konferencës. Braziliani ishte i fundit që shkoi në minifazë në Serbi nga lojtarët që mbyllën sezonin, në një kohë kur stërvitja kishte një javë që kishte nisur. Në dy ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Konferencës ndaj AEL Limasolit, Da Silva mungoi me argumentin e dëmtimit, por burime të tjera pohojnë se në mungesat e brazilianit në dy sfidat ndaj qipriotëve të Limassol, sidomos e dyta, ka qënë edhe vetë neglizhimi dhe indiferentizmi i Da Silvës, çka tregon se në këtë mes, marrëdhëniet me dy palëve nuk janë si më parë.
Të gjitha këto kanë bërë që për Da Silvën të mendohet edhe një largim i mundshëm nga Vllaznia, ku pistat që qarkullojnë mediatikisht janë Tirana dhe Dinamo, të cilat i kanë ofruar një pagë të majme brazilianit për t’u bërë pjesë e tyre.
Megjithëatë, largimi i mundshëm nga Vllaznia nuk është aq i lehtë për Da Silvën, pasi, duke qënë nën kontratë edhe për një vitë me Vllazninë, prishja e kësaj kontrate do të shoqërohej me penalitete të aspektit financiar në dëm të futbollistit.
Nga sa bëhet e ditur, mes palëve ka një farë qëndrueshmërie të marrëdhënieve reciproke. Por, gjithësesi, për të mësuar konkretisht, nëse Viktor Da Silva, do të qëndrojë apo jo tek Vllaznia, duhet pritur data 9 gusht, ditë kur është lënë rifillimi i proçesit stervitor të kuqebluve për sezonin e ri futbollistik, 2021-2022.