Kryesia e trajnerëve të Sport Klub Vllaznia me në krye drejtorin Mark Kroqi kanë marrë një nismë të veçantë, shumë të rëndësishme dhe kuptimplote, duke vendosur të nderojë figurat sportive të klubit kuqeblu në vite, ato që me karrieren e tyre të pasur sportive kanë kontribuar maksimalisht në arritjen e rezultateve pozitive për ngjyrat kuqeblu. Hapi i parë ishte rreth një muaj më parë me dekorimin e ish basketbollistit dhe ish trajnerit të njohur, Rajmond Rasha. Ndërkohë, që ceremonia e dytë vlerësuese për figurat e dalluara të sportit shkodran është spostuar në palestren sportive të xhudos në Vaun e Dejes. Objekti i dekorimit këtë radhë është Anton Shkoza, një nga themeluesit e sportit të judos në Shkodër, por edhe në shkallë kombëtare, kampion kombëtar si individë, antar i ekipit kombëtar, në vijim trajner po aq i suksesshëm si trajner i klubit Vllaznia, disa herë radhazi kampion, ndërkohë që së bashku me drejtimitn e Vllaznisë krijoi edhe Akademinë e Judos me qëndër në Vaun e Dejes.
Ceremonia
Pikërisht në mjediset e palestres së Akadmisw Albania Judo Kodokan qw mban emrin Anton Shkoza është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të çertifikatës së Mirënjohjes nga ana e drejtorit të Sport Klub Vllaznia Mark Kroqi për mjeshtrin e madh të xhudos shqiptare, Anton Shkoza, motivacioni i së ciles ishte:
”Stafi, trajnerët dhe sportistët e Sport Klub Vllaznia të janë mirënjohës për punën dhe kontributin tuaj dhënë në 27 vite në rritjen e cilësisë dhe përgatitjen e xhudistëve shkodranë. Ke qënë, je dhe do të jeshë një model i veçantë për tu marrë shembull nga të gjithë brezat! Me mirënjohje dhe shumë respekt!”, …23 trajnerët e SK Vllaznia.
Njëshi i klubit shumësportesh kuqeblu Mark Kroqi, por edhe ish kryetari i Bashkisë Vau Dejes, Gjon Marku, një mbështetës i projekteve të judos së kësaj zone gjatë mandateve të tij, kanë përcjellë opinione shumë pozitive për figuren e nderuar të Anton Shkozës. Krahas lartësimit të figurës së Shkozës që për vete rrethanat në të cilat ai arrin të drejtojë këtë sport, organizatorët nuk kanë nguruar ta krahasojnë me një legjendë të gjallë të këtij sporti, një vemendje e veçantë i është kushtuar edhe familjes Shkoza. Një familje e tëra sportive, ku përpos Antonit, pjesë e këtij sporti është edhe vajza e tij Aurora si dhe dy djemtë, Xhovani dhe Luigji. Që të tre kampionë kombëtar, madje krahas konkurimit si sportistë me Vllazninë dhe ekipin kombëtar, ato kontribuojnë edhe si trajner në ekipet e judos Vllaznia, për femra dhe meshkuj.
E rrallë…
Kujtojmë se ish kampioni Anton Shkoza, si pasojë e një traume të rëndë gjatë procesit stervitor, ka vite që vuan problemet e paralizes. Megjithë përkujdesjen e familjes së tij si dhe të strukturave sportive dhe shtetërore, mjekësia deri më tani nuk ka arritur ta ngrejë në këmbë kampionin. Por kjo, nuk e ka penguar aspak Antonin që edhe pse të gjitha lëvizjet i duhet t’i bëjë me karrocen e invalidit, falë pasionit, këmbënguljes dhe vullnetit të madh që ka për këtë sport, të vijojë punën në organizimin dhe drejtimin e ekipeve të judos shkodrane. Një rast i rralë ky, jo vetem në Shkodër dhe Shqipëri, por, pse jo edhe në arenen ndërkombëtare, që një person i paralizuar të jetë çdo ditë në palestren e judos duke drejtuar dhe organizuar në mënyrën më të mirë ekipet e Vllaznisë dhe të Vaut të Dejes që pa as më të voglin dyshim janë më të mirët e Shqipërisë.
Gaspër MARKU