Sezoni i ri futbollistik për ekipet e Akademisë së Futbollit Vllaznia do të nisë me ndryshime emrash në krye të pankinave të ekipeve zinxhir. Një gjë e tillë vjen pasi në rregulloren e klubit kuqeblu, të paktën deri më tash, ka qënë që trajnerët e ekipeve të moshave kanë punuar me kontratave një vjeçare. Që do të thotë se në përfundim të sezonit, drejtuesit e klubit kanë vendosur rinovimin e tyre në ekipet respektive që kanë drejtuar, apo kanë bërë lëvizje sipas preferencës së tyre.
Por, sezoni futbollistik 2021-2022 ka sjellë lëvizje si asnjëherë tjetër. Të parët që e kanë pësuar duke mos iu rinovuar kontrata janë tre ekipet kryesorë të klubit, ai U-17, U-19 dhe U-21, ku trajnerët e parë, Brikeno Bizi, Luan Zmijani dhe Fatjon Hasani nuk do të jenë më në krye të këtyre ekipeve.
Zëvendësimi i tyre ka ardhur nga tre emra të tjerë trajnerësh, Edmond Doçi tek U-17, Vioresin Sinani tek U-19 shkodranë, ndërkohë që në krye të U-21 është vënë trajneri anglez Dean Paul Sibson.
Nuk ka vonuar, dhe drejtuesit kanë përcaktuar edhe trajnerët e Akademisë Vllaznia për kategorinë e moshave më të vogla. Ekipin U-15 do ta drejtojë trajneri Brikeno Bizi, atë U-14 Astrit Premçi dhe atë U-13 Fatjon Hasani.
Në njoftimin zyrtar, Akademia Vllaznia ka informuar të interesuarit se ekipet përkatëse, që prej ditës së hënë kanë filluar nga seancat stervitore në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Njoftim
“Pas ekipeve U-21 dhe U-19, ditën e hënë datë 23 gusht 2021 do të nisë stërvitjen edhe ekipi U17 i Akademisë Vllaznia. Në sezonin e ri, ky ekip do të drejtohet nga trajnerët Edmond Doçi dhe Fation Kadija. Njoftohen të gjithë futbollistët që kanë pjesë e këtij ekipi apo dhe të tjerë që duan t’i bashkohen atij, që të paraqiten ditën e hënë në ora 18.30 pranë fushës sportive “Reshit Rusi” për fillimin e stërvitjes.
Ditën e martë dhe të mërkurë do të nisin stërvitjen edhe tre ekipe të tjera të Akademisë Vllaznia. Kështu, ditën e martë, në ora 16.00 do të zbresë në fushën e stërvitjes ekipi U15 që në sezonin e ri do të drejtohet nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Gjon Kola.
Ndërsa ditën e mërkurë do të nisë stërvitjen ekipi U13 në orën 16.30, ekip ky që do të drejtohet nga trajnerët Fatjon Hasani dhe Haris Dalipi. Ndërsa ekipi U14 që do të drejtohet nga trajnerët Astrit Prençi dhe Gjengis Bandula do të nisë stërvitjen në ornë 15.00.
Ftojmë të gjithë futbollistët e këtyre ekipeve, por edhe të tjerë të rinj që duan të rregjistrohen në to, të paraqiten pranë fushës “Reshit Rusi”.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Akademisë Futbollit Vllaznia.