“Murlani” fryn fort në këtë pragsezoni. Nuk bëhet fjalë për erën karakteristike të kësaj zone që fryn fort në këto pellg që në Shkodër e më gjërë e quajnë “murlan”, por në rastin konkret kemi të bëjmë me KF Murlani që ka goditur fort në merkaton e pragsezonit të ri futbollistik, 2021-2021.
Presidenti Përparim Rraboshta ka bërë të mundur përfshirjen në stafin e KF Murlani që ai financon prej rreth një viti të dy emrave të njohur të sportit shkodran e më gjërë. Njëri, Kujtim Shaba, është në postin e administratorit të klubit, ndërsa tjetri, Arben Parmeza trajner i ekipit të futbollit të femrave të KF Murlani.
Pozicioni i administratorit vjen për herë të parë në KF Murlani si kërkesë e domosdoshme për funksionimin e një klubi serioz, i cili ka plane dhe projekte ambicioze për vazhdimësinë. Emri i Kujtim Shabës nuk u zgjodh rastësisht, por bazuar në përvojën mjaft pozitive që ai ka shfaqur në krye të KF Vllaznia gjatë kohës që drejtonte ish presidenti, Valter Fushaj. Periudha e drejtimit aso kohe të Shabës në krye të klubit kuqeblu koinçidon, jo vetëm me një menaxhim perfekt të strukturave të klubit, por kryesisht edhe të ndërtimit të Akademisë Vllaznia, model në Shqipëri, gjë të cilën pritet ta vijojë dhe në KF Murlani.
Ndërkohë, pas dorëheqjes për arsye personale të ish trajnerit Elis Legata, postin e trajnerit të KF Murlani në futboll femra, presidenti Përparim Rraboshta ia besoi Arben Parmezës. Një emër ky jo pak i spikatur në fushën e sportit, fillimisht si kampion dhe rekordmen në sportin e atletikes, për të vijuar më pas si trajner atletik në stafin e ekipit të parë të futbollit Vllaznia gjatë kohës që drejtonte Rudi Vata. Në vijim, duke u liçencuar edhe si trajner profesionist futbolli, presidenti i Vllaznisë në futboll femra, Lazër Matija e vendos përkrah trajnerit të parë Nikolin Leka duke punuar me sukses për disa vite me radhë deri në verën e këtij viti ku ai me kërkesën e tij shkëputet nga stafi kuqeblu. Pas rreth dy muaj pushim nga aktiviteti si trajner kuqeblu, me largimin e ish trajnerit Elis Lega, ai merr drejtimin e ekipit KF Murlani të futbollit të femrave, ekip i cili, pas një viti përfaqësimi në Kampionat me emrin e përbashkët, Juban Danja-Murlani, këtë sezon futbollistik të Superligës konkuron për herë të parë me emrin KF Murlani.