Sunday, November 24, 2024

Shpërthen Shqipëria, kuqezinjtë mundin thellësisht 5-0 San Marinon dhe marrin vendin e dytë në Grupin I me 12 pikë. Një super Broja në pjesën e dytë!

Lexo

Shqipëria 5 dhe San Marino 0. Ky është rezultati në përfundim të ndeshjes e luajtur mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”. Pesë gola, njëri më i bukur se tjetri me autor Manaj 32′, Laçi 58′, Broja 61′, Hysaj 68′, Uzuni 80′. Por, përpos tyre edhe shumë raste të tjera të shpërdoruara duke shtuar edhe dy gola të anoluar për pozicion jashtë loje me autor Manajn çka tregon një superioritet absolut të kombëtares tonë në këtë ndeshje. Fitorja e 4-t në këto 6 ndeshje të para të Grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, që me 12 pikët e grumbulluara e pozicionon Shqipërinë në vendin e dytë të Grupit duke shtuar shanset e mundësisë së kualifikimit.

Presioni në portën kundërshtare në kërkim të golit të avantazhit fillon që në minutat e para kur Kumbulla ka shpërdorur në minutën e 3-të një rast të volitshëm. Më pas është Uzuni që nuk arrin dot një pasim të Trashit 5 minuta, ndërsa Bajrami do të provojë një goditje brenda zone në të 10-tën. Uzuni do të provojë dy minuta më pas, por pa rezultat, ashtu sikundër do të bëjë edhe Kumbulla pas harkimit të Bajramit, teksa duket se Shqipëria vuan për të thyer mbrojtjen e ngjeshur të San Marinos. Por qëndresa e miqve do të thyhet në minutën e 32-të, kur Manaj do të gjejë më në fund rrugën e rrjetës për kuqezinjtë.

3 minuta më vonë, Manaj ka gjetur një gol tjetër, por ai anulohet për pozicion jashtë loje. Ndonëse harkimi i Hysajt nuk shfrytëzohet në minutën e 44-t nga shokët e tij dhe Manaj gjen një tjetër gol menjëherë më pas, po që sërish anulohet për pozicion jashtëloje, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Kombëtares.

Pjesa e dytë do të nisë me Brojën dhe Roshin që do të zënë vendin e Trashit dhe Bajramit dhe loja e Shqipërisë ka një tjetër ritëm. Është fillimisht Uzuni në minutën e 49-të, Manaj 3 minuta më vonë dhe menjëherë më pas Kumbulla, por rrjeta e portës mike mbetet e paprekur, edhe për meritë të gardianit të saj, Benedetini. Sidoqoftë, Laçi do të finalizojë mjaft bukur një marshim në minutën e 58-të, duke dyfishuar epërsinë e kuqezinjve.

Vetëm 3 minuta më pas, Manaj shërben në qendër të zonës për Brojën, që gjen golin e dytë kuqezi në dy ndeshje radhazi. Shqipëria është çliruar tanimë dhe do të jetë radha e kapitenit Hysaj që të shkruajë emrin e tij në listën e golshënuesve në minutën e 68-të.

10 minuta para fundit emrin në listën e golashënuesve do ta shkruajë edhe Uzuni, që nuk e ka vështirë të realizojë falë bujarisë së Brojës, që në këtë ndeshje përpos një goli potent shënuar në portën mike spikati për talentin e përdorimit të topit, shpërthimeve energjke drejt zonës kundërshtare dhe në veçanti për lojën në grup duke shërbyer vazhdimisht për shokët e ekipit, edhe atëherë kur mundësitë dhe rrethanat ia jepnin të drejtën që të godiste vetë personalisht. E gjitha kjo tregon se 19 vjeçari Armando Broja është një e ardhme e sigurt e kombëtares shqiptare.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img