E filluar diten e djeshme me dy sfidat e luajtura në Shkodër dhe Durrës, ku fitues dolën Vllaznia dhe Partizani që sfiduan përkatësisht Bylisindhe Teutën, java e nëntë e kategorisë Abissnet Superiore vijon sot edhe tre ndeshjet e tjera.
Dy prej tyre nisin në orën 15:00, me Kuksi-Egnatia që luhet në stadiumin “Kukës Arena” dhe Kastrioti-Laçi që si zakonisht ndeshjet brenda, krutanët i luajnë në stadiumin e Kamzës. Për t’u theksuar është se sot ka debutimin e tij të parë në stolin e rrogozhinasve tekniku Shpëtim Duro, i cili zëvendësoi kolegun e tij Edlir Tetova, me të cilin klubi prishi me marrëveshje kontratën për mungesë rezultatesh pozitive.
Ndërkohë, sfida e fundit që përmbyll javën e nëntë të Superiores, do të luhet në orën 17:45, në stadiumin “Elbasan Arena” në mes Tiranës dhe Erzenit. Edhe pse janë pritës, bardheblutë janë të detyruar të udhëtojnë në Elbasan, pasi fusha e stadiumit të tyre “Selman Stërmasi” i është nënshtruar rikonstruksionit.