Për sulmuesin shkodran, Belajdi Pusi, hapet një dritare e re e karrierës sportive. Që prej ditës së sotme, Pusi është zyrtarisht futbollist i ekipit Turan Tovuz në kampionatin e Azerbajxhanit.
I dalë nga ekipet e Akademisë Vllaznia, Belajdi Pusi konsiderohej si një talentet potenciale të sulmit kuqeblu. Megjithatë, edhe pse pati një përvojë në ekipin e parë të Vllaznisë, ku edhe la gjurmë, ai nuk arriti të bindë drejtuesit për të qënë titullar në skuadrën kuqeblu.
Kështu që, karriera e Pusit do të vijonte me ekipin korçar Skënderbeu, madje duke luajtur për disa vite dhe duke spikatur si ndër pikat më të forta të skuadrës. Kontributi me “ujqërit e dëborës” vijoi deri në janar të 2023-shit, kohë kur skadon kontrata me klubin korçar.
Megjithë insistimin e drejtuesve të Skënderbeut që Pusi të vijontë bashkëpunimin me klubin e tyre, Belajdi vendosi të nis një aventurë të re jashtë vendit, aty ku sot firmosi në Azerbajxhan, me synimin që forma dhe gjendja e tij e mirë sportive do të arrijë maja më të larta sportive.