Dy humbjet me Kukësin dhe Tiranën, barazimi me Egnatian, por edhe gjesti i Latifit në momentin e zëvendësimit në pjesën e dytë të ndeshjes me Egnatian, krijuan një situatë pesimiste në kampin kuqeblu. Takimet, presidence-staf-skuadër, gjatë periudhës së ndërprëerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtares, pritet të japin efektin e duhur në kthesen e Vllaznisë. Dhe, hapi i parë duket se është bërë në ndeshjen e sotme të Kupës, ku edhe pse ndaj një Pogradeci modest, trajneri Brdariç, shprehet i kënaqur me skuadrën, për lojën, rezultatin dhe kualifikimin në çerekfinale. Opinionet e tij, Brdariç gjatë conferences për shtyp të organizuar pas ndeshjes, Vllaznia-Pogradeci, e mbyllur me fitoren e kuqebluve, me rezulatin 6 me 1.
”Jam shumë i lumtur, mendoj se ishte një paraqitje shumë e mirë në total. Në pjesën e parë treguam fytyrë shumë të mirë, ndoshta pas 6 golave në pjesën e parë, ekipi la ndeshjen pas dore dhe nuk vazhdoi paraqitja në pjesën e parë.”, tha Brdariç.
Në lojë, nga minuta e parë ishin edhe tre të rinjtë e perspectives, Qarri, Smajli dhe Paloka, për të cilët Brdariç, tha:”Jam i kënaqur, treguan paraqitje mjaft solide. Futëm Çobën sepse nuk luajti në ndeshjen me Shpresat e Shqipërisë. Tani do të gjykojmë ndeshjen, të shohim dhe të përqendrohemi te takimi i radhës pasi është afër.”
Përballjen me Kastriotin, Vllaznia e shfrytëzoi edhe si një test për ndeshjen e fundjavës me Kastriotin. “Çdo ndeshje mund ta përdorim për tu përmirësuar, më vjen mirë që shënuam 6 gola. Për fat të keq pësuam atë gol që mund ta evitonim, por ishte ndeshje e mirë dhe të vazhdojmë më tej. Mendoj se duhet të marrim çdo sfidë për tu rritur më shumë, u thash lojtarëve që ta shijonin ndeshjen pasi luajtëm në një fushë ku mund të luhet futboll. Kjo nuk ishte ndeshje stërvitore, por përgatitore për të shtunën ndaj Kastriotit.”, tha Brdariç.
Vllaznia, gjen në turin e tretë çerekfinal, Flamurtarin e Vlorës, i cili eleminoi Kastriotin. “Sigurisht që ishte surprizë, pasi nuk ndodh gjithmonë që një ekip i Kategorisë së Dytë të mposhtë atë të Superiores. Prandaj ky ishte sinjal që ekipet e Superiores duhet të marrë seriozisht çdo kundërshtar dhe sot ne ishim në përqendrimin tonë maksimal dhe dhamë më të mirën.”
Në mbyllje të konferencës për shtyp, një sqarim edhe për çështjen Latifi. “Për mua është e rëndësishme që çdo lojtar të mësojë nga veprimet e tij. Për mua nuk ishte veprim i mirë, ndoshta pati disi ndikim në ekip, megjithatë mendoj se është djalë i ri me ego dhe dëshirë për të luajtur futboll dhe do të ketë mbështetjen time maksimale për tu përmirësuar në vazhdim”, përfundoi prononcimin e tij në konferencën për shtyp, trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç.