Thursday, May 16, 2024

Kupa e Shqipërisë, Vllaznia-Pogradeci 6-1, kuqeblutë kualifikohen në çerekfinale ku gjejnë Flamurtarin

Lexo

Vllaznia – Pogradeci 6:1

(Shënues: Mustedanagiç 1′, Aralica 9′ 16′, Latifi 13′, Ardit Hoxhaj 22′ 26′, Topllari 56′)

E mërkurë 17 nëntor 2021, ora 13.30, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër

Vllaznia: Qarri, Gurishta, Adili(Kruja 46’), Paloka, Smajli, Krymi, Heriç, Mustedanagiç(Fangaj 72’), Latifi(Sadriaj 61’), Aralica(Çoba 46’), Ardit Hoxhaj(Da Silva 77’). Trajner: Thomas Brdariç

Pogradeci: Hasanbell, Hysenllari(Tako 46’), Maxhari, Pura, Jahaj( Muçllari 50’), Drizaj, Hykellari, Çela, Kasa, Topllari, Hoxha. Trajner: Ardian Abazaj

Gjyqtarë:  Besnard Kaimi(Tiranë), Elvis Gjoka(Lezhë), Arnoldo Memlikaj(Patos)-I katërt: Edvin Hoxha(Lezhë)

Vëshgues Genc Maloku(Tiranë)-Delegat i FSHF-së, Përparim Laçi(Pukë)

Vllaznia kualifikohet në tetë më të mirat e kompeticionit të Kupës së Shqipërisë. Kalimi në çerekfinale u arrit duke eleminuar në Turin e Dytë, Pogragecin, të cilin e mundi 0-2 në ndeshjen e parë të luajtur në transfetë dhe 6-1 sot në ndeshjen e kthimit.

Me rezultatin e përgjithshëm 8 me 1, kuqeblutë janë në turin e tretë duke gjetur si kundërshtar Flamurtarin e kategorisë së dytë, por që sot eleminoi Kastriotin e Krujës duke e mundur 2 me 4 në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Fushë Krujës.

Kuqeblutë e Vllaznisë, në cilësinë e fituesit të trofeut të Kupës së Shqipërisë në fuqi, e filluan me gol ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa ishte boshjaku Zinedine Mustadanagiç që tundi rrjetën pogradecare që në aksionin e parë të ndërmarrë nga skuadra e tij në portën mike. Pësimi i golit kaq i shpejtë, ashtu si edhe në ndeshjen e parë në Pogradec me autor Ardit Hoxhaj, ç’orientoi miqtë, të cilët në vijim do të bëheshim tabelë qitje nga futbollistët kuqeblu.

Kështu, në minutën e tetë është Ante Aralica që dyfishon rezultatin në 2 me 0. Më pas është radha e Liridon Latifit, i cili në një depërtim e sipër në zonën mike pengohet nga mbrojtja pogradecare, dhe gjyqtari kryesor, Besnard Kaimi akordon penallti. Është vetë Latifi që merr përsipër ekzekutimin nga pika e bardhë, dhe në ndryshim nga ndeshja e turit të parë ndaj Labërisë që e humbi penalltinë e gjuajtur prej tij, këtë radhë kosovari i Vllaznisë e kalon në rrjetë topin e gjuajtur prej tij.

Është minuta e 14-të, dhe Vllaznia kryeson 3 me 0, ndërkohë që pas dy minutash Aralica shënon golin e katërt për Vllazninë dhe të dytin personal në këtë ndeshje. Lojë sulmuese dhe raste të konkretizuara me gol nga ana e Vllaznisë, e cila duke vijuar me këtë ritëm, shënon edhe dy gola të tjerë. Vlonjati Ardit Hoxhaj, realizon një dopietë, përkatësisht në minutat 23 dhe 26-të duke e çuar në 6 me 0 avantazhin e Vllaznisë, rezultat që mbyllë edhe pjesën e parë.

Një pjesë e parë, ku krahas titullarëve, tekniku Brdariç ka hedhur në fushë edhe treshen e të rinjve, Kristi Qarri në portë, dhe në mbrojtje Geralb Smajli majtas dhe Klejdi Paloka në qëndër, lojtar që e justifikuan besimin e trajnerit duke bërë një paraqitje të mirë në fushën e lojës. Me fillimin e pjesës së dytë për kuqeblutë aktivizohet edhe Mehdi Çoba dhe Albin Sadrijaj, së bashku me Krujën, Da Silvën dhe Fangajn. 45 minutat e dyta, megjithë përpjekjet dhe rastet e shumta të futbollistëve kuqeblu, nuk pati më gol në portën pogradecare.

Përkundrazi, miqtë, që në fakt luajnë më mirë se në pjesën e parë, jo vetëm që mbrohen mirë, por edhe arrijnë të shënojnë në minutën e 56-të me anë të Eldjon Topllarit. Gol që vlen vetëm për statistikë, sepse gjithë ndeshja përfundon me fitoren e merituar të Vllaznisë, me rezultatin 6-1. Rezultat ky që duke i shtuar edhe rezultatin e ndeshjes së parë, 0-2 për Vllazninë, me shifrat e thella 8 me 1 kualifikohet në turin e tretë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img