Monday, April 29, 2024

Brdariç i kënaqur për tre pikëshin ndaj Apolonisë: Fitore shumë e rëndësishme!

Lexo

Kur është nisur me skuadrën drejt qytetit të Fierit, as që i ka shkuar ndërmend se sfida e sotme Apolonia-Vllaznia do të mbyllej me këtë rezultat të thellë në favor të kuqeblu. Aq më tepër kur përballja e fazës së tretë në “Loro Boriçi” u pat mbyllur mes drithërimave, sepse në kohën shtesë fierakët humbën një rast ideal për ta barazuar rezultatin. Por, futbolli është i tillë që prodhon edhe rezultate të paparashikueshme, por që për hirë të së vërtetës këtij rezultati, në një farë mënyre i erdhi në ndihmë edhe loja tej mase e dobët e vendasve. Megjithatë, fitorja është me të vërtetë e rëndësishme, ndaj edhe trajneri kuqevlu Tomar Brdariç shprehet i kënaqur pas ndeshjes.

“Është një fitore shumë e rëndësishme. Kam respekt për Apoloninë, por jam i lumtur që pas fitores me Laçin marrim edhe këtë fitore. Duhet të falënderoj lojtarët për këtë fitore të arritur. Nuk është rastësore ajo që po shfaq Vllaznia tani. Kemi punuar gjatë gjithë sezonit për këtë. Fakti që jemi këtu sot, është edhe meritë e asaj që kemi bërë gjatë gjithë sezonit.”, shprehë në fillim të prononcimit për Supersport menjëherë pas ndeshjes, Brdariç.

Ndërkohë, i pyetur për golin e shënuar nga djali i tij, Tim Brdariç, tha: “Nuk kam si të mos jem i lumtur për djalin. Unë jam profesionist te kjo pjesë, e meritonte të luajë. Detyra e djalit tim ishte të rrinte në mbrojtje dhe nuk e di çfarë ndodhi që shkoi përpara”, tha gjermano kroati i pankinës kuqeblu që më pas foli edhe për ndeshjen e ardhshme. “E arkivojmë që sot ndeshjen me Apoloninë dhe nga nesër mendojmë për Skënderbeun. Duhet ta përgatisim ndeshjen mirë. Nuk ka vend për eufori, por duhet të mendojmë për të ardhmen tani. Kishim një krizë pak kohë më parë. Ne punuam për ta kaluar atë krizë. Mendoj se në një periudhë të gjatë, skuadra ka rënie fizike. Kemi punuar 5 muaj me shumë ritëm. Por nuk kanë qenë kushte të mira, kemi qenë në kushte të vështira për t’u stërvitur.”, përfundoi trajneri kuqeblu, Brdariç.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img