Përballja çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Korabi, takim që luhet nesër në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.00 ka një të veçantë. Në stolin e dibranëve do të jetë Agim Canaj, një trajner shumë u njohur, i cili më herët ka qënë trajner i preferuar për skuadrën kuqeblu, ku në tre angazhimet e viteve të ndryshme ka marrë vlerësime pozitive nga drejtuesit kuqeblu, po ashtu edhe nga tifozëria shkodrane. Por, këtë radhë, Canaj vjen në Shkodër për të sfiduar Vllazninë. Ja si shprehet ai në prag të kësaj ndeshje:
“Kupa është një kompeticion tjetër dhe ne jemi të mobilizuar. Dihet forca e Vllaznisë, luajmë në fushën e tyre, por djemtë janë të mobilizuar. Në këto ndeshje rrallë e ke shansin që të shkosh deri këtu, ndaj edhe djemtë po mobilizohen me maksimumin e tyre. Unë e njoh Vllazninë mirë, pasi edhe e kam drejtuar tri herë, është një ekip që i ka dhënë tonin edhe Superiores këtë sezon, pavarësisht situatave në javët e fundit, që nuk janë aq të mira. Ne shkojmë që të tregojmë më të mirën tonë dhe të luajmë futboll. Në futboll ndodh gjithçka dhe kur luhet me një takim, atëherë çdo gjë varet në 90 minuta apo dhe 120 minuta. Unë e shoh në një këndvështrim tjetër, nuk dua që të fus ekipin në presion, por duhet që të jemi shumë të motivuar, ashtu si dhe në ndeshjet që kemi luajtur në kampionat. Skuadra ime, ka një profil tjetër tashmë dhe ka treguar grintë, luftë dhe aspekte pozitive dhe ajo që na motivon është se luajmë me një nga ekipet me traditë në Shqipëri”, është shprehur tekniku i Korabit, Agim Canaj për pragndeshjen, çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Korabi.