TIRANA-PARTIZANI 1-1 (81′ Deliu / 53′ Da Silva)
Është mbyllur 1-1 derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, sfidë e vlefshme për javën e 33-të të “Abissnet Superiore”. Një sfidë e luftuar në “Air Albania” e cila në fund nuk nxori një fitues, por që ishte një barazim me shije fitoreje për Tiranën pasi i mundëson bardhebluve të mbeten në vendin e parë me dy pikë avantazh ndaj të kuqve.
Pjesa e parë ishte më e qetë dhe e kontrolluar nga të dy ekipet, ndërsa e dyta nisi me një tjetër ritëm. Fillimisht do të ishin “demat” që gjetën golin e avantazhit me anë të Da Silvës në minutën e 53-të. Një gol që “ngriti” peshë gjithë tifozët e kuq.
Ndeshja u bë edhe më spektakolare në minutët në vazhdim, ku bardheblutë kërkonin edhe golin e barazimit. Mesfushori i Tiranës, Ardit Deliu, godet nga një distancë prej 30 metrash, duke lënë të shtangur Rexhepin. Eurogoli i Deliut vendosi ekuilibrat në minutën e 81-të.
Skuadrat ndanë pikët duke lënë llogari të hapura për titullin. Pas kësaj përballjeje renditja në tabelën e klasifikimit nuk ndryshon, bardhebluqë udhëheqin me 60 pikë, 2 më shumë se Partizani i vendit të dytë.
Fatos LAMAJ