Butrinti-Delvina 2-1(Shënues:Tafa 47’, Llana 83’/Samir 86’)
Butrinti e nis me këmbë të mbarë sezonin e ri futbollistik, duke mposhtur në fushën e vetë fqinjët e Delvinës me rezultatin 2-1. Një ndeshje në kufijtë e miqësores, ku pjesa e parë nuk prodhoi asgjë, me ekipet që veçse kontrollin lojën dhe kujdeseshin për të mos pësuar gol.
Ky fraksion u mbyll me shifrat e barabarta 0-0, ndërsa pjesa e dytë nisi me një marsh tjetër. Të dy trajnerët, Adriatik Faslliu i Butrintit dhe Markelian Alinani i Delvinës, hedhin gjithë armatën e tyre në fushë, por është Butrinti që në kundërsulmin e pare, gjen golin me anë të të sapofuturit Tafa në minutën e 47-të.
Është afrikani Agu nga e djathta, që hedh një top në shtyllën e dytë dhe atje Tafa gjuan saktë, duke mposhtur portierin Braho. Loja e të dyja skuadrave bie ndjeshëm, ndërsa ndeshja u ndërpre disa herë, pasi kryesori Dishani ka kërkuar ndërhyrjen e stafeve mjekësore për dëmtime të lojtarëve.
Në minutën e 83-të do të vinte goli i dytë për Butrintin. Top i gjatë i ardhur në zonën e Delvinës nuk kontrollohet nga mbrojtësit miq dhe aty Llana përfiton, duke dalë i vetëm me portierin Braho dhe shënuar golin e sigurisë. Ka ende vend për një gol në minutat e mbetura dhe është Delvina që ngushton shifrat 2-1 me Samir.
Fatos LAMAJ