Wednesday, December 11, 2024

Ditëlindja e parë pa Ridvan Gjeçajn! Ish kampioni i notit dhe intelektuali i spikatur shkodran e më gjërë, ndërroi jetë para kohe në 14 marsin e vitit të kaluar në moshën 60-të vjeçare

Lexo

Ditët kalojnë, po ashtu edhe muajt, për pak bëhet edhe viti i plotë i ndarjes nga jeta të Ridvan Gjeçajt, të kësaj figure të nderuar të qytetit të Shkodrës, ish kampionit të notit, si sportist dhe trajner me Vllazninë, por edhe të trajnerit të kombëtares së notit, si dhe për një periudhë të mirë kohe edhe zv.presidenti të Federatës Shqiptare të Notit.

Për të gjithë që e njohën nga afër, akoma nuk i besohet që Ridin nuk e kanë më mes tyre. I mungon qytetit të Shkodrës, edhe në cilësinë e intelektualit dhe profesionistit të spikatur si inxhinier hidroteknik që aq shumë punoi për qytetin e tij dhe më gjërë.

Por, më së shumti, i mungon familjes Gjeçaj. I mungon Rudinës(Podgorica), bashkëshortes së tij, shoqes së jetës, me të cilen kaloi një jetë të mrekullueshme. Një çift ideal, që ndër të tjera, në preferencat e tyre ishin udhëtimet pafund, thuajse në çdo cep të botës, të cilat Rudina i kujton çdo ditë, madje të shndërruara edhe në poezi, duke të emocionuar dhe prekur pa masë me ato çfar ajo shkuan e publikuar në profilin e saj të rrjetit social.

Padyshim, që i mungon shumë dy fëmijëve, Riva dhe Roni, me të cilët Ridvani krenohej për rritjen dhe edukimin e tyre shembullor. I mungon gjithë famijes Gjeçaj, por i mungon shumë edhe familjes së madhe sportive shkodrane e më gjërë ku ai shërbeu me dinjitet.

Na mungon edhe ne gazetarëve sportivë, me të cilin kemi shkëmbyer informacione të shumta rreth aktivitetit të tij sportive. Më mungon edhe mua personalisht, autorit të këtij shkrimi, Gaspër Marku, jo vetëm në aspektin mediatik, duke qënë shumë herë i ftuar në studio tona televizive sportive, por edhe në aspektin njerëzor. Takimet dhe kafet në kohën e lirë me të dhe të vëllanë, Bledarin, sot trajner i Vllaznisë në basketboll femra, merrnin vlerë qytetarie, pasi ai ishte një njeri universal që shërbente vetëm mirësi.

Ditët, muajt, vitet, do të kalojnë njëri pas tjetrit, por në këtë ditëlindje të parë të tijen pa praninë e Ridit, mund të themi se Ridvan Gjeçaj do të mbetet gjatë dhe vazhdimisht dhe i paharruar, në mendjen dhe kujtesen e të gjithëve, familjes së tij, miqve të afërt që aq shumë kishte, mbarë komunitetit të Shkodrës, e më gjërë. Pushofsh në paqe, o njeri i mirë, miku i të gjithëve, Ridvan Gjeçaj!  (G. MARKU)

…..Rikujtesë e karrieres sportive të Ridvan Gjeçajt…..

Fillimet e sportit…

Fillimet e në rrugën e bukur të sportit për Ridvan Gjeçajn nisin që në vitet e shkollës 8 vjeçare, “7 Nëntori”-sot “Ismail Qemali”. Si shkollë që më herët ishte e profilizuar si shkollë sportive basketbolli, mësuesi Muhamet Sokoli, një ish basketbollist dhe trajner i famshëm basketbolli e aktivizon Ridvanin në kampionatin lokal në nivel shkollash. Në të njëjtën kohë, po në nivel shkollash, Gjeçaj aktivizohet edhe në kampionatet lokale të pingpongut dhe shahut duke u shpallur kampion individual. Megjithatë, në asnjërin prej këtyre sporteve nuk përfundon, sepse do të ishte noti, sporti që Ridi e pëlqen më tepër. Shkak bëhet përsëri një garë lokale mes shkollash, aso kohe e zhvilluar në lumin Drin, aty ku në moshën 10-të vjeçare, nën mbikqyerjen e mësuesit të shkollës, ish futbollistit të madh Selami Dani, shkëlqen, dhe menjëherë regjistrohet në ekipet e moshave të Vllaznisë për të mos u shkëputur më nga ky sport deri në mbyllje të karrieres së tij. Në vijim, ai provon për disa vite edhe një passion tjetër, pikturën me mësues të tillë si, mjeshtrat Ismail Lulani dhe më pas Angjelin Dodmasej, deri në mbyllje të gjimnazit, passion që e shoqëron në vazhdimësi në kohën e lirë, madje duke realizuar vepra me vlerë edhe në vitet në vazhdim.

Aktiviteti sportiv

Falë fizikut të bëshëm dhe plot muskuj, Ridvan Gjeçaj stërvitet dhe konkuron me dinjitet në të gjitha stilet e notit, por më së shumtmi, ai më i preferuari për të ka qënë stili delfin. Një stil, që gjatë të gjithë karrieres së tij sportive e ka bërë në mënyrën më të mirë duke fituar tituj kampion, si individë dhe si ekip. Madje, reflekset dhe forcën e tij në këtë stil, Ridi vijoj ta shfaqtë deri vonë, edhe në garat e kampionateve të veteranëve të notit të 2020-tës duke u shpallur kampion me Vllazninë.

Studimet universitare, kampion me Studentin

Pasi është formuar si kampion me Vllazninë e të rinjëve dhe të rriturve, në përfundim të gjimnazit, Ridvani zhvendoset në Tiranë për të ndjekur studimet e larta në fakultetin e inxhinierisë hidroteknike. Periudhë të cilën e shfrytëzon më së miri ekipi i Studentit, i cili e përfshin Gjeçajn në formacionin e tij. Ishin vite kur këtë ekip e drejtonte trajneri i njohur, Sulejman Poda, ku Ridvani i bashkangjitet mjeshtrave të tillë si, Skerdilajd Shyti, Ilir Meça, Shpëtim Damini, Hektor Partali, me të cilët arrijnë të shpallen kampion si ekip, ku natyrisht kontributi i shkodranit Gjeçaj në stilin Delfin, kishte pjesën e vet të suksesit në vitet 80-të.

Rikthimi në Shkodër përsëri me Vllazninë kampione

Përfundimi i studimeve të larta e rikthen Ridvan Gjeçajn përsëri në Shkodër. Por, tashmë, ai vjen me një status tjetër, jo vetëm si kampion kombëtar i stilit delfin, por edhe e diplomuar me vlerësime maksimale në specialitetin e inxhinierit hidroteknik, shumë i kërkuar dhe i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë. Vllaznia, me trajnerin Shuajp Mehmeti e pret me krah hapur. Së bashku me Ridin, ekipit të saj kohe i bashkangjiten një brez i ri notarësh të talentuar, si Tonin Radovani, Myzafer Kroni, Gjon Shyti, Viktor Ferketi, Robert Vata, Ardian Vadahi, të cilët të gërshëtuar me brezin cilësor aktual që gjeten në ekip, Rrok Shestani, Azem Plisi, Sadi Anadolli, Mehdi Muriqi, Fatmir Halili, Met Plisi, Yzeir Miarra, shpallen për disa vite me radhë kampionë të Shqipërisë.

Ridvani trajner i Vllaznisë dhe kombëtares

Një tjetër periudhë e shndritur e Ridvan Gjeçajt në fushën e sportit, është edhe ajo e detyrës së trajnerit, pozicion të cilin ai e kreu me shumë passion, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Detyrë, të cilën, në fakt, do të fillonte ta ushtronte pa u shkëputur përfundimisht nga gara si sportist, pra duke kryer dy funksione njëherësh, edhe sportist, edhe trajner. Periudhë e cila shoqërohet, jo vetem me drejtimin kompetent të Vllaznisë, por edhe të ekipit kombëtar, duke marrë pjesë në evenimente shumë të rëndësishme europiane dhe botërore. Karriera e tij në këtë pozicion si trajner i parë i ekipit Vllaznia nisë në vitin 1989, dhe menjëherë vijnë sukseset duke e shpallur Vllazninë disa herë kampione të Shqipërisë. Janë vite të arta të Vllaznisë, ku nën drejtimin e Ridvan Gjeçajt, ekipi shkodran shpallet 6 here kampione e Shqipërisë duke fituar në të njëjtën kohë edhe po kaq herë edhe Kupën e Republikes dhe atë “Pavarësia”, ndërkohë që notarët kuqeblu të drejtuar prej tij përmirësojnë 65 rekorde kombëtare.

Për arritjen e këtyre suksesve kontribuan shumë notarë, por ndër to, Ridvani veçon Ilir Ymerin, fitues i 5 medaljeve të Arta në Spartakiadën Kombëtare, ku njëri prej rekordeve të tij vendosur që në vitin 1989, akoma qëndron në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Puna e tij e mirë dhe rezultative me Vllazninë, bëjnë që Federata Shqiptare e Notit, t’i besojë Ridvan Gjeçajt, drejtimin e ekipit kombëtar, detyrë të cilën e mbajti për disa vite më radhë duke përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në shumë e shumë aktivitete, Ballkanike, Europiane dhe Botërore.

Por, përpos kësaj, pas largimit nga detyra e trajnerit të kombëtar, ai kontribuoi për disa me vite me radhë, edhe në cilësinë e antarit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të notit, dhe shumë shpejt merr edhe postin e zv.presidentit të kësaj federate, ku me pjesëmarrjet e ndryshme në eventet ndërkombëtare, përfaqësoi me shumë dinjitet Shqipërinë si zyrtar i federatës.

Inxhinieri profesionist hidroteknik

Emri i Ridvan Gjeçajt, nuk është i njohur vetëm në sport, por atë e hasim jo pak edhe në profesionin e tij si inxhinieri profesionist hidroteknik. Një profesion kyç dhe me mjaft peshë në aspektin e zhvillimit të qytetit dhe ndërtimit të veprave, ku kontributi i Ridvanit ka qënë dhe vazhdon të jetë me shumë vlerë. Pasi, siç theksojnë edhe kolegët e tij me të cilët punon, por edhe shumë të tjerë, projeket dhe propozimet e tij në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e qytetit janë me mjaft vlerë.  Si një nga inxhinierët më të spikatur të Hidroteknikes, nga duart e tij janë punuar dhe zbatuar sa e sa projekte që sot i shijon qyteti verior e më gjërë.

Familja sportive Gjeçaj  

Ridvan Gjeçaj, i përket një familje të njohur sportive në qytetin e Shkodrës.Traditë, që nis nga babai i tij, Musa Gjeçaj, dhe që vijon me Nazimin, djalin e madh të tij, pjesë e ekipit të gjimnastikes Vllaznia, për të vijuar më pas me dy vëllesërit e tjerë, Ridvanin dhe Bledarin në sportet e notit dhe basketbollit.

Bledar Gjeçaj, me një karrierë shumë të pasur si basketbollist i Vllaznisë kampione, i kombëtares dhe për disa vite në kampionatin e Kosovës. Më pas, një trajner po aq i aftë si sportist, duke drejtuar ekipin e të rriturve Vllaznia dhe aktualisht është në krye të ekipit Vllaznia për femra. Por, pa lënë mënjanë padyshim edhe emra të tillë sportistësh shumë të njohur, pjesë e kësaj familje, si Fatime Sujovi në gjimnastike, Ardian Vadahi në not. Për të vijuar më pas me brezat e tjerë në vazhdim, me fëmijët, trashëgimtarët e tyre, Silver Gjeçaj, djali i Nazimit në basketboll, fitues i një kupe me Vllazninë e të rriturve, Riva dhe Roni Gjeçaj, vajza dhe djali i Ridvanit, e para me një karrierë cilësore me sportin e notit, ndërkohe që më pas u largua me studime jashtë vendit, ndërsa Roni me basketbollin, dhe po kështu edhe dy fëmijët e Bledarit, vajza Rea dhe Vetoni, sot pjesë e ekipit të parë Vllaznia, që specialistët e cilësojnë si një të ardhme të sigurtë të basketbollit shkodran. Duke qëndruar tek Ridvani, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe bashkëshorten e tij, Rudina Podgoricen(Gjeçaj), noteren e njohur të qytetit të Shkodrës, e cila ka pjesën e saj të suksesit tek treshja e sportistëve të familjes së saj, bashkëshorti Ridvan dhe dy fëmijët, Riva dhe Roni.

Vlerësimet

Kontributet e Ridvan Gjeçajt gjatë karrieres së tij si sportist dhe trajner, nuk mund të anashkaloheshin pa vlerësimet e duhura. Duke nisur nga titulli Mjeshtër Sporti dhe Medalja e Mirënjohjes, akorduar nga Federata Shqiptare e Notit, për të vijuar edhe me nderimin që i është bërë nga Bashkia e Shkodrës me titullin “Mirënjohje”, si dhe duke e shpallur atë si Trajnerin e Shekullit, në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të Klubit Sportiv Vllaznia.  Vlerësimeve në fushën e sportit i shtohen edhe shumë të tjera në arritjet e tij në profesionin e inxhinierit hidroteknik, akorduar nga institucionet vendore dhe ato qëndrore.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img