Thursday, February 29, 2024

Duka në RTSH-“Silvinjon e zgjodha se ka uri”. Objektivi: “Të kalojmë grupin”

Lexo

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH

Në një intervistë të dhënë për emsionin “Jetë Shqiptare” në RTSH , presidenti i FSHF Armand Duka, ka shpalosur objektivat për në “Gjermani 2024”. Kalimi i grupit është në fokus, pavarësisht se përballë janë emra si Spanja, Italia e Kroacia. E megjithatë, asnjë presion për kuqezinjtë, që sipas numrit një të FSHF-së duhet të shijojnë atë që kanë arritur.

Një vit shumë i rëndësishëm 2023-shi, sidomos për Kombëtaren, me shumë sfida…

“2023-shi ka qenë një vit i mirë, ose shumë i mirë, ose një nga më të mirët e historisë së futbollit shqiptar në të gjitha këndvështrimet, por kryesisht me rezultatet dhe performancën e ekipit kombëtar gjatë gjithë ndeshjeve. Gjithçka ka qenë fantastike me përfundimin e skuadrës në vendin e parë. Një vit shumë i mirë, por uroj që 2024 të kalojë 2023-shin”.

Me çfarë emocionesh, me çfarë përgjegjësishë ju ka veshur viti 2023?

“Siç e thashë edhe më parë ishte një vit i finalizuar bukur, por gjatë rrugës ka patur dhe ngjarje që nuk kanë qenë në pritshmëritë e duhura. I nisëm kualifikueset në Poloni me humbje në ndeshjen e parë, gjë e cila në një farë mënyre na largonte nga objektivat. Por bëmë një paraqitje pozitive. Më pas vazhduam me rezultate, nisëm me fitore me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, shoqëruar me ndeshjet fantastike në shtëpi kundër Polonisë dhe Çekisë. Pra ka qenë në përgjithësi një rrugëtim i mirë, me emocione pozitive, por ka patur dhe moment si ndeshja e Polonisë apo me Ishujt Faroe në ndeshjen e fundit ku pritshmëritë ishin për ta mbyllur me më shumë pikë edicionin. Nuk e rrezikuam vendin e parë, por mund ti kishim kënaqur më shumë spektatorët. Por këto rezultate nuk janë rastësi, janë fryt i një pune të të gjithë stafit të FSHF-së, i trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij, i futbollistëve që kanë luajtur në fushë, që kanë qenë të motivuar, të lidhur me fanellën dhe kanë bërë gjithçka mirë. Gjithashtu, është dhe rezultat i mbështetjes. Nuk mund të arrish një rezultat nëse nuk ke vërtetë mbështetje, sidomos në futboll, që është një lojë kolektive, emocionale, nëse nuk ke mbështetjen e opinionit në përgjithësi, të tifozëve në shkallë, në rrugë, në media, kudo, për të krijuar një atmosferë pozitive, optimiste, për të arritur objektivin. Besoj se ajo që ka arritur kombëtarja për herë të dytë, meriton të jetë ngjarja e vitit 2023”.

Zoti Duka, ju përmendët me të drejtë se ka shumë aktorë, të cilët kanë rolin e tyre në të gjithë këtë sukses dhe njëri prej tyre patjetër që është trajneri Silvinjo. A ju është dashur shumë kohë të bindeshit se është i duhuri?

“Tani, para se të bësh zgjedhjen nuk është se je i sigurt për vendimin që do marrësh. Padyshim që nisesh dhe vlerëson nga opinionet e një takimi interviste, nga CV-ja e kandidatit dhe në rastin konkret Silvinjo ishte një kandidat me një karrierë shumë të pasur futbollistike. Futbollist i niveleve shumë të larta, i cili është aktivizuar në klube shumë të rëndësishme në Europë, me një farë eksperience jo shumë të madhe si trajner. Në atë kohë kam takuar 4 apo 5 kandidatë të nivelit shumë të mirë. Por ajo që më bindi për Silvinjon ishte uria e tij për sukses dhe besimi i tij, pasi e kishte studiuar ekipin që ne mund të arrijmë, mund të realizojmë objektivin e vënë nga FSHF-ja. Fatmirësisht rezultoi që nuk kemi gabuar, puna e tij ka qenë e shkëlqyer. Kontributi i tij, aq sa i përket një trajneri, sepse futbolli është një sport kolektiv, nuk mund ta fitosh vetëm, nuk mund ta fitojnë vetëm lojtarët, por të gjithë bashkë. Por puna e tij ka qenë shumë e mirë, ka qenë më e mira e të gjithë trajnerëve të mëparshëm. Mënyra e organizimit të punës së tij, qëndrimi gjithë kohën në Shqipëri, motivimi i futbollistëve, padyshim dhe përgatitja taktike e skuadrës dhe psikologjike për ndeshjen. Pra ka një meritë shumë të madhe Silvinjo dhe i gjithë stafi i tij”.

Na prêt një vit shumë sfidues, sepse ekipet që do kemi përballë në grup janë shumë të forta. Cilat janë pritshmëritë?

“Po gjithmonë, sa më lartë të shkosh, aq më e vështirë është. Ekipi duhet të sfidojë veten e tij me stekën që ka vënë. Do shkojmë në Evropian në një nivel tjetër vështirësie, me skuadra akoma më të mira, por shorti na ka vënë përballë skuadra që kanë dhe emër të madh, si Italia, Spanja dhe Kroacia. Kam thënë dhe pas shortit, nuk jam i zhgënjyer, nuk jam i mërzitur nga shorti. Jam i gëzuar, sepse sportivisht i konsideroj të gjitha të vështira ndeshjet, por emrat që do përballemi në botën e futbollit janë vërtet emra të mëdhenj dhe është kënaqësi të luash kundër tyre. Në fund të fundit, duke luajtur kundër të mëdhenjve mund të bëhesh i madh, të mësohesh, apo të gjesh rrugën për tu bërë i madh. Nuk është e lehtë, dihet që janë skuadra shumë të mira dhe me eksperiencë të turneve final, fitues të Botërorit apo Evropianit, por dhe ne kemi një skuadër të mirë. Jemi në një moment të mirë, kemi bërë mirë në kualifikuese, kemi futbollistë me kualitet, që mund ta përballojnë Evropianin dhe mund të arrijnë akoma më shumë. Padyshim që gjendja emocionale dhe psikologjike në një turne të tillë është e rëndësishme. Unë i bëj thirrje ekipit që ta shijojnë Evropianin dhe rezultatin që kanë arritur pa një ngarkesë të madhe psikologjike. Ngarkesën psikologjike duhet ta kenë kundërshtarët tanë. Nëse ne bëjmë këtë, siç kemi bërë me Poloninë dhe Çekinë, që ishin në të njëjtin nivel sportiv sipas mendimit tim, madje Çekia mund të jetë edhe më e mirë se këto skuadra dhe këtë do e shikojmë në turne, ne do arrijmë të kalojmë grupin. Jam shumë i bindur që do bëjmë mirë, siç jam i ndërgjegjshëm që nuk është e lehtë”.

Ndërkohë, deklaruat se do kalojmë grupin, por sa e vështirë është të bësh një parashikim, cili do jetë hapi më i madh që mund të bëjmë në këtë Evropian?

“Në futboll është shumë e vështirë të parashikosh, nuk është si në sportet e tjera, individuale apo lojërat me dorë, janë më të parashikueshme në rezultate. Në futboll është shumë e paparashikueshme. Ne i kemi mundësitë për ti bërë të tre rezultatet në të trija ndeshjet, kështu që unë nuk mund të parashikoj. Objektivi është që të kalojmë grupin dhe nëse kalon grupin gjërat mbase janë edhe më të lehta se sa grupi, sepse në një ndeshje mund të ndërtosh një strategji të tillë ku mjafton të mos pësosh gol dhe të presësh një mundësi apo të shkosh drejt penalltive e kështu mund të shkosh edhe më larg. Por edhe nëse nuk e kalojmë grupin, jemi vërtet të kënaqur që jemi pjesë e këtij turneu final dhe unë në asnjë moment nuk dua të ngarkoj psikologjikisht skuadrën me presionin e rezultatit evropian, veçse ti ftoj të shijojnë atë që kanë arritur. Nga pikpamja administrative ne i kemi marrë të gjitha masat, ti krijojmë të gjitha kushtet ekipit. I kemi krijuar kushtet maksimale skuadrës që të jetë e qetë dhe të synojë objektivin”.

Presim hyrje të reja në Kombëtare këtë vit?

“Kombëtarja kështu është, ndryshon nga klubet. Në momentin e ndeshjes meret ai që është më i miri. Ai që do jetë në formë në qershor, do jetë dhe pjesë e ekipit. Mund të jetë dhe ndonjë që nuk ka qenë i pranishëm gjatë eliminatoreve, sepse në fund të fundit turneu final nuk është shpërblim për eliminatoret, por është një sfidë e re, me kontribute maksimale dhe me lojtarët më të mirë të momentit. Kështu që, ata që do jenë më në formë në atë moment, do jenë pjesë e ekipit. Ne kemi patur dy mungesa titullarësh për shkak dëmtimi, Marash Kumbulla dhe Armando Broja. Nëse rikuperohen plotësisht dhe uroj të rikuperohen sepse janë dy futbollistë me kualitet, padyshim që do jenë pjesë e ekipit apo dhe ndonjë tjetër nga U21, apo të tjerë që kanë qenë më parë, nuk janë përfshirë në ekip, por që mund të jenë në formë në qershor. Pra i lihet zgjedhjes së stafit teknik. Padyshim që do ndjekin rrugëtimin e tyre në këto muaj që kanë mbetur dhe në momentin e grumbullimit stafi do vendosë se kush mund ta ndihmojë më shumë ekipin kombëtar”.

Jeni shqiptari i parë që merni një post të rëndësishëm siç është ai i zv-presidentit të UEFA-s. Çfarë do të thotë për ju personalisht por dhe për futbollin shqiptar?

“Jam krenar për pozicionin e zëvendës-presidentit të UEFA-s, por në asnjë rast nuk e konsideroj një meritë personale, por një meritë kolektive. Sepse nuk mund të zgjidhesh në këtë pozicion për shkak të marrëdhënieve personale që krijon me kolegët apo homologët.

Kjo vjen si rezultat i punës dhe rezultateve që ke arritur në vendin tënd. Këto rezultate nuk arrihen vetëm, por me të gjithë kolegët, bashkëpuntorët, futbollistët, stafin dhe administratën e FSHF-së. Pra e konsideroj krenari të futbollit kombëtar shqiptar që ka një vend në qeverinë e futbollit europian”.

Keni në planet tuaja një projekt bashkëpunues me RTSH për vitin 2024?

“Padyshim, ne jemi të hapur dhe nëse do arrijmë dhe mendoj se gjatë 2023 kemi arritur që të krijojmë një atmosferë pozitive, jemi të hapur që të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët dhe aktorët në vend, me të gjithë mediat sidomos me RTSH për të krijuar atmosferë pozitive ndaj futbollit”.

Një pyetje të fundit, kanë qarkulluar shumë shifra nga përfitimi që do ketë Kombëtarja nga kualifikimi në Evropian. Sa të vërteta janë këto shifra?

“Ekipet pjesëmarrëse, vetëm për pjesëmarrjen në Euro 2024 përfitojnë nga 9.25 milionë euro secili. Më pas gjatë ndeshjeve ka premio: për barazimin 500 mijë euro dhe fitoren 1 milionë euro”.

Zoti Duka, shumë faleminderit që ishit me ne në “Jetë Shqiptare” dhe shumë suksese në të ardhmen.

“Faleminderit. Dua të përsëris edhe njëherë urimin për ju dhe të gjithë shqiptarët për një vit sa më të mbarë 2024, sa më të shëndetshëm, sa me më shumë futboll dhe rezultate në Gjermani”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img