“Bota e futbollit, Gjermania dhe tifozët humbën sot një prej simboleve të kësaj loje të mrekullueshme”
Presidenti i FSHF-së, njëkohësisht dhe zv-president i UEFA-s, Armand Duka u është bashkuar homazheve në nder të Franc Bekenbauer, i cili u nda nga jeta të dielën në moshën 78-vjeçare.
Postimi i kreut të FSHF-së:
Bota e futbollit, Gjermania dhe tifozët humbën sot një prej simboleve të kësaj loje të mrekullueshme. Shkëlqimi i futbollit gjerman dhe ylli botëror Franz Beckenbauer u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të madhe. Ai u shndërrua në legjendë. Fitoi titujt kampion i Europës dhe i Botës si futbollist, ndërkohë që fitoi Botërorin edhe si trajner në vitin 1990. Në nivel klubesh fitoi gjithçka me Bajernin e Mynihut si edhe dy “Topa të Artë”, diçka e rrallë për një mbrojtës. Beckenbauer mbetet në kujtesë si një nga lojtarët më elegantë dhe më të papërsëritshëm në historinë e futbollit. Figurë emblematike, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Europën, që gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm, i pagëzuar me nofkën “Der Kaiser”. Lamtumirë “Perandor”, faleminderit për gjithçka i ke dhënë futbollit!