Thursday, May 2, 2024

Egnatia tregoi stabilitet dhe qëndrueshmëri-Nga Prof.dr. Xhevdet Zekaj-“Mjeshtër i madh”

Lexo

Egnatia humbi 2 pikë ndaj Partizanit, me lojën që zhvillioi dhe rastet e krijuara në ndeshjen e sotme, e cila ishte vazhdim i asaj që u ndërpre pas 24 minutash disa ditë më parë.

Në futboll ndodh gjithcka. Edhe pse skuadra ishte e ngarkuar psikologjikisht për ndarjen nga jeta të ish-kapitenit Dwamena, bëri një paraqitje të mirë. Në fakt, të dyja skuadrat dhuruan emocione për të pranishmit, sepse luajtën hapur dhe në kërkim të fitores.

Dy kryesuesit dëshmuan se janë me meritë aty në klasifikim, por me përbërjen që kanë mund të japin më shumë. Ishte një nga ndeshjet më të bukura të këtij kampionati, deri më tani. Futboll i hapur, raste për gol, kundërsulme sa në njërën portë në tjetrën, betejë deri në sekondën e fundit në kërkim të fitores.

Natyrisht, ishte një ndeshje pa Dwmena fizikisht, por sikur ai ishte në fushë. Egnatia pati jo pak raste për gol, demonstroi qëndrueshmëri taktike falë punës së trajnerit Tetova. Nëse do t’i marrim me radhë lojtarët e skuadrës rrogozhinase do të thonim fjalët më të mira. Portieri Sherri, i saktë. Në momentet që duhej, ai tregoi se është shpëtimtari dhe kyci i portës së Egnatias. Lila. Aleksi, Malota, Xhemalaj, por dhe Musta, edhe pse kanë ende për të dhënë, treguan se janë “shtylla kurrizore” e skuadrës.

Duhet të kujtojmë se Malota ishte autori i golit të kësaj ndeshjeje për rrogozhinasit. Paulauskas vinte nga një ndeshje shumë e mirë me kombëtaren, por humbi raste të favorshme ndaj Partizanit. Një mesfushë nga më të mirat në Superiore, me Aleksi, Fernando dhe Zejnullahi e Spahiu. Për shumë arsye, lojtarët e Egnatias dhanë shumë, por jo gjithcka ndaj kampionëve të vendit në fuqi. Paulauskas jo vetëm në fazën sulmuese, por sidomos mbrojtëse, shpenzoi shumë. Kjo edhe falë gjendjes fizike të mrekullueshme që ka.

Paulauskas tregoi se mbetet një pikë referimi kur duhet për Egnatian. Natyrisht, ka shumë për të bërë, sepse priten gola prej tij. Spahiu ishte ndoshta në 70 për qind të tij. Një lojtar shumë i talentuar, që meriton vëmendjen edhe të trajnerit të kombëtares, Sylvinho. Me siguri ai ka gjithcka për të qenë alternativa e Jasir Asanit me fanellën kuqezi.

Iskandarli ka qenë në një gjendje shumë të rënduar posikologjike prej ndarjes nga jeta të ish-kapitenit Dwamena. Luftoi shumë, dha shumë, por edhe gaboi shumë ndaj Partizanit.

Joel, shënojeni këtë emër, sepse shumë shpejt do të jetë një futbollist që do të flasë me gola, driblime, luftë fizike, lojën me dhe pa top.

Edhe stoli me Memollën, Mëllugjën, Fangaj, që nuk luante për arsye kartonësh, Ahmetaj, Dobjani janë gati për t’i dhënë një dorë Egnatias, e cila ka luksin për të pasur dy formacione të denja për titullarë.

Egnatia tregoi edhe një herë sa vlen, se forca e saj nuk janë individët, por grupi.  Ky kolektiv, bashkë me kundërshtarët e kuq, treguan se janë me të vërtetë dy skuadrat më të mira të Superiores, që bashkëryesojnë me meritë renditjen, me pikë të barabarta. Beteja e titullit mes tyre vazhdon…

Prof.dr. Xhevdet Zekaj-“Mjeshtër i madh”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img