Saturday, May 18, 2024

EKSKLUZIVE/ Jonuz kritikon Memellin: Vllazni e ngadaltë, ai nuk bëri asgjë. Nuk është normale që…

Lexo

Ish-trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, duket se nuk e ndan veten nga Shkodra. E ndjek çdo sfidë të kuqebluve dhe për më tej është i mirinformuar edhe për lëvizjet në skuadër.

61- vjeçari që është pa skuadër për momentin, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” pasi ka ndjekur përballjen e fundit të Vllaznisë kundër Partizanit. Jonuz ka besim se kuqeblutë do ia dalin të jenë në mes katër më të mirave. Ai ka përshëndetur edhe fitoren e kombëtares sonë ndaj Polonisë me golin fantastik të Jasir Asanit, për të cilin ka vlerësim të madh.

E keni ndjekur Vllazninë në këtë start të sezonit, si ju duket?
Unë e ndjek ekipin e Vllaznisë dhe normalisht kam informacione moment pas momenti për të. Menaxheri i klubit ka sjellë shumë lojtarë të rinj dhe kjo është shumë e vështirë për të ndërtuar diçka të mirë që kërkon nga fillimi. Ndoshta sulmuesi Bruno Gomes apo edhe të tjerët janë të cilësisë së mirë, por duhet të përshtaten dhe të ambientohen.

Ndaj Partizanit u mbyll në barazim pa gola, çfarë përshtypje ju la kjo ndeshje?
Po, e pashë ndeshjen. Lojtarët e Vllaznisë luajtën shumë ngadalë dhe shumë individualisht. Kjo në një ekip nuk të sjell atë që duhet.

Çfarë nuk funksionoi sipas jush, për më tepër që ishin në epërsi numerike për 83 minuta?
Të jesh 83 minuta me një lojtar më shumë dhe të mos fitosh, nuk është normale, edhe pse ky është futbolli. Unë mendoj se ekipi duhej të luante më shumë në krah dhe të kishte një sulmues tjetër klasik në fushë.

Vllaznia rrezikoi të pësonte disa herë, ndërsa edhe rastet i krijoji me pikatore…
Në situata të tilla, reagimi duhet të jetë nga pankina, pra nga stafi teknik dhe normalisht që është trajneri. Rreziku është normal dhe duhet përdorur për ta fituar atë sfidë. Mendoj se nuk u bë asgjë në këtë drejtim.

Çfarë mund t’i sugjeroni trajnerit që të ndryshojë me këtë grup që ka, për të qenë në vendet e para?
Të vazhdojë punën me grupin në mënyrë intensive. Të përpiqet të korrigjojë gjërat negative dhe të reagojë shpejt. Ai ka një ekip të ri dhe duhet të integrohet dhe të funksionojnë më mirë me njëri-tjetrin.

E shihni Vllazninë në mes katër më të mirave, nisur nga formula e re e kampionatit?
Formati i ri është i mrekullueshëm. Është gjithmonë mirë kur diçka ndryshon. Interesimi është më i madh. Sfidat janë edhe më të mëdha. Është herët të flitet në këtë drejtim. Shumë gjëra mund të ndryshojnë nga java në javë.

Mund të jetë kjo një formulë favorizuese për Vllazninë?
Vllaznia është klub historik dhe duhet të luajë në Europë çdo vit. Ajo ka tifozët më të mirë në Shqipëri.

E keni ndjekur Kombëtaren shqiptare?
Po, përgëzoj fitoren e Shqipërisë ndaj Polonisë. Ishte një sukses i madh. E përgëzoj veçanërisht Asanin për supergolin.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img