Saturday, July 27, 2024

EKSKLUZIVE/ Telashet për Vllazninë nuk kanë fund, gjashtë lojtarë e padisin në FIFA për rrogat

Lexo

Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar prej javësh te Vllaznia. Largimet e shumta këtë verë do të kishin një kosto të madhe për klubin, por lojtarët, pasi pritën prej disa muajsh të shlyheshin, e humbën durimin dhe iu drejtuan FIFA-s. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se portieri Bojan Zogoviç, mbrojtësi Darko Bulatoviç, mesfushorët Elvedin Heriç dhe Kristjan Vulaj, si dhe sulmuesit Ante Aralica dhe Kaina Nunjesh, kanë paditur klubin shkodran në FIFA për mosrespektim të kontratës.

Mësohet se gjashtë futbollistët kanë pritur që të likuidoheshin në muajin gusht, por kjo nuk ka ndodhur dhe në këto kushte kanë deleguar çështjen në organin juridik të FIFA-s. Tashmë në ditët e ardhshme pritet të ketë një vendim për pretendimet e ishlojtarëve, të cilët kërkojnë të shlyhen në bazë të kontratës që kanë pasur me Vllazninë. Të gjithë janë larguar nga skuadra pas përfundimit të sezonit 2022-2023. Ndërkohë, nuk dihet ende nëse të njëjtën gjë do të bëjnë edhe lojtarët shqiptarë që ikën këtë verë nga Vllaznia si Liridon Latifi, Dajan Shehi, Ardit Hoxhaj, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi, Erdenis Gurishta dhe Herald Marku. Mësohet se të gjithë të larguarit nga Shkodra këtë verë kanë bërë një marrëveshje me klubin që do të merrnin rrogat e prapambetura brenda një afati, por që mesa duket ai nuk është respektuar dhe të huajt kanë bërë hapin e parë në FIFA.

ÇËSHTJA “SALA” – Vllaznia është përfshirë së fundmi edhe në një gjyq me klubin nga Malta, Valeta FC. Bëhet fjalë për një padi që maltezët kanë bërë kundër Vllaznisë për mesfushorin Eslit Sala, i cili iu bashkua shkodranëve në qershor të këtij viti. Klubi i Valetës ka kërkuar një dëmshpërblim për lojtarin shkodran dhe FIFA i ka dhënë të drejtë për një shumë prej 80 mijë eurosh. Vllaznia ka kundërshtuar vendimin e FIFA-s dhe e ka ankimuar çështjen në KAS-in e Lozanës.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img