Tuesday, October 8, 2024

Emocionet e gazetares dhe publicistes së njohur Arlinda Çausholli për Vllazninë e saj të zemrës…..

Lexo

Arlinda Çausholli të emocionon që në pamje të parë. Ajo është një nga ato vajzat simpatike shkodrane, e cila që herët ka qënë e lidhur me sportin në qytetin verior. Pjesë e një prej familjeve shumë të njohura shkodrane, si “Çaushollët”, ajo kishte komoditetin të mësonte dhe të rritej me historinë sportive të qytetit të saj të lindjes. Madje, të provonte edhe vetë të luante basketboll me Vllazninë, por në vijim e rrëmbeu gazetaria ku shkëlqeu, sidomos në kryeqytet në mediet më prestigjioze shqiptare, si një nga gazetaret dhe publicistet më në zë.

Sot, ajo është në cilësinë e Drejtoreshës së Komunikimit në një institucion të rëndësisë së veçantë si Aeroporti Ndërkombëtar  të Tiranës “Nënë Tereza”, ndërkohë që pasioni për aktivitetet shoqërore, kulturore-artistike zënë jo pak vend në jetën e saj të përditshme. Me sportin, vijoi edhe djali i saj, Xhoeni që edhe pse jetonte në Tiranë preferoi të luante basketboll për Vllazninë e drejtuar nga Roland Koka dhe madje të shpallej kampion me ekipin e të rinjëve kuqeblu, sot i diplomuar dhe i kualifikuar në Universitetin e Sporteve duke iu përkushtuar organizimit, menaxhimit dhe zhvillimit të sportit.

Pak a shumë, ky është portreti i Arlinda Çaushollit, që sonte na ka befasuar me një perlë kushtuar Vllaznisë. Ashtu siç din ajo, me mjeshtri dhe plot emocione, risjellë në vemendje Shkodrën e vertet sportive, historinë, traditat e kahershme, dhe padyshim të tashmën e lavdishme, që ashtu si edhe vetë Arlinden, po lumturon një Shkodër të tërë me rezultatet e saj fantastike që po regjistron në këtë kampionat, të cilin po e kryson me tepër meritë. Postim, të cilin Veriu Sport e përzgjodhi ta përcjellë për lexuesit e tij.

….

GOLI I JETËS

Dikur, të shkoje në stadium me pa skuadrën e zemrës ishte ritual për të cilin ishte përgatitur gjithë familja. Unë, fëmijë atëherë, e ndiqja me kërshëri këtë zakon të bukur të shtëpisë së madhe të gjyshërve të mi – një ndërtesë e vjetër, por mbushur me hare e batuta – në rrugicën e “Tisazhit”, në Shkodër.

Çdo javë shihja të gjithë burrat e rinj dhe të vjetër që mblidheshin përpara hyrjes së shtëpisë, dy orë para ndeshjes kur luante Vllaznia, ndërkohë që mbi samarët e biçikletave vendosej me kujdes një pllakë bukë peshku, në formë drejtkëndëshe, e cila lidhej mirë se mos e merrte era. Ishin vitet 80-të. Mbi këtë pllakë uleshin të afërmit e mi në shkallët e ftohta të stadiumit “Loro Boriçi” bashkë me ëndrrat e tyre, por lumi i tifozëve shkodranë që fillonte nga qendra e Shkodrës deri në muret e stadiumit i kishte ngrohur deri në rrëzë.

Ngaqë buka e peshkut grimcohej vazhdimisht, gjyshi im ankohej se shkallët e stadiumit bëheshin pis dhe pas kësaj ankese me vend, nëna ime, u qepi nga një mbulesë pëlhure të gjithave dhe problemi u zgjidh. Pas kësaj, tifozët pastërtorë të familjes sime u rehatuan për mbështetje të pakufishme ndaj Vllaznisë dhe emrave të famshëm të asokohe si Fasli Fakja, Hysen Zmijani, Ferid Rragami, Fatbardh Jera, Arvid Hoxha e shumë të tjerë.

Kujtimi i bukës së peshkut që nuk shprishej më, më solli te Vllaznia e sotme që po ecën nën katërshen e një gjermani, një kroati dhe dy shqiptarëve, dy në menaxhim e dy në stafin teknik. Thomas Brdarić, Matko Djarmati, Alban Xhaferi dhe Elvis Plori. Po ecën…domethënë po vrapon! Asnjë yll pompoz mes lojtarëve, asnjë emër i madh, por bashkë formojnë një bashkësi rrëzëllitëse që mënjanë lajmeve dhe kufizimeve të pandemisë, i shtyn futbollistët e skuadrës sime të zemrës, të brohororasin nga fitorja në fitore dhe të dëgjojnë trajnerin tek thotë “Rrini të përulur”.

Fitoret vijnë nga thjeshtësia.

Pas 14 ndeshjeve, Vllaznia ka ende edhe 22 të tjera dhe rruga është e gjatë. Por kryeson me nëntë pikë nga vendi i dytë dhe me gjasë ekipi do të jetë i pamposhtur.

Vështroj çdo lajm dhe çdo fytyrë të klubit si atëherë, dhe besoj se skuadra që i mbijetoi rënies nga Kategoria e Parë apo tallazeve të shumta me të cilat çdo sport tek ne përballet, ka gjetur çelësin e bashkimit për të ecur përpara, dhe për të gëzuar tifozët – të pranishëm, por nga larg – me një leksion të madh të besimit, të këmbëve në tokë dhe kokës së ulur. Urime djemve.

Keni bërë golin e jetës.

Arlinda Çausholli                                                              Gaspër MARKU

#ForcaVllazni

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img