Mes katër çifteve të ditës së sotme për Botërorin “Katar 2022”, ajo e orës 20:00, Argjentina- Meksikë konsiderohet si kryendeshja e ditës. Emocionet e kësaj pragndeshje vijnë me emocionet e deklaratave nga të dy kampet përkatëse, të cilët kërkojnë fitore dhe kualifikimin në raundin tjetër.
“Meksika, ka një ekip i shkëlqyer, me një ide shumë të qartë të lojës. Një ekip sulmues me një trajner të madh. Por ne e kemi të qartë se duhet të vazhdojmë gjithsesi dhe ta përballojmë ndeshjen ashtu siç e kishim planifikuar. Është një ndeshje futbolli në të cilën një vend i tërë pret shumë nga ne, por nuk kam dyshim se do të japim gjithçka deri në minutën e fundit që jemi në fushë. Sa i përket gjendjes së Messit, mund të them se ai është mirë, dhe më shumë se kurrë kemi nevojë për të gjithë tani, por jam i sigurt se gjithçka do të jetë mirë. Nuk kemi asnjë dyshim për këtë. Fizikisht ai është mirë, moralisht është mirë. Nuk ka asnjë problem”, është shprehur, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni gjatë konferencës për shtyp dhënë në këtë pragndeshje.
Ndërkohë, nga kampi i Meksikës, vijnë deklarata optimiste duke kërcënuar Argjentinë se do ta mundin sot në fushën e lojës. Tifozët e Argjentinës ‘zhytin’ Dohën me një det flamujsh, shumë prej të cilëve mbajnë imazhin e Diego Maradonës, vdekja e të cilit sot është përvjetori i dytë. Por një mendim i mundon ata që kujdesen për fatin e Albiceleste: në rast të një humbjeje tjetër, nesër kundër Meksikës pasi kanë humbur tashmë kundër Arabisë Saudite, Messi dhe shokët e tij do të shkonin në shtëpi. Dhe mund të dërgohet nga një trajner me origjinë nga Rosario që drejtoi Argjentinën për dy vjet: Gerardo ‘Tata’ Martino, i cili tani është i ulur në pankinën e skuadrës meksikane.
“Pas shortit, nuk do ta kishim imagjinuar kurrë një skenar si ky aktual –por unë punoj për Meksikën dhe dua më të mirën për Meksikën. Dhe pastaj ju pyes: nëse ju të ishit në vendin tim, çfarë do të bënit? Sigurisht që do të bënit gjithçka që Meksika të fitojë – vazhdon ai.-. E di se ku kam lindur, por duhet të bëj të pamundurën që Meksika të fitojë. Nuk mund të bëj ndryshe”, thotë trajneri Gerardo Martino, në prag të sfidës së sotme, Argjentinë-Meksikë.