Europiani i Atletikes në Poloni, Franko Burraj e mbyll me gjysëmfinalen, rënditet i 14-ti mes 49 shteteve pjesëmarrëse

Atletika shqiptare e ka mbyllur konkurimin në Kampionatin Europian të Atletikës për Sallat e Mbyllura që po zhvillohen  në Torun të Polonisë. Ditën e djeshme në garë ishte atleti kuqezi, shkodrani Izmir Smajlaj, i cili në garën e Kërcimit së Gjati nuk mundi të shkojë më tepër se sa shifra 7 metër dhe 69 cm, gjë që e renditi në vendin e nëntë të baterisë së tij duke e lënë jashtë finales për vetem 5 cm. Ndërkohë, shpresat më pas ishin për atletin tjetër shkodran, Franko Burraj, i cili në konkurimin eleminator të paradites së sotme në garën e vrapimit 400 metra zuri vendin  e parë në baterinë e tij me kohën 47 sekonda dhe 42 të qindtat duke u kualifikuar në gjysëmfinale.

Kështu, me interes të madh është pritur gara gjysëmfinale duke shpresuar një rezultat kualifikues për Burrajn në mënyrë që atletika shqiptare të vijonte pretendimin për zonën e medaljes. Por, për konkurimin në fjalë që përfundoi pak çaste më parë nuk ka lajme të mira nga Polonia. Koha e Franko Burrajt në këtë bateri ka qënë 47 sekonda dhe 45 të qindtat duke e renditur atë në vendin e pestë të baterisë së tij, gjë e cila e lanë jashtë listës finaliste në këtë garë. Sidoqoftë, renditja e tij në vendin e 14-të mes 49 shteteve pjesëmarrëse, duke pasë parasysh edhe moshën e tij të re, Burraj ka marrë vlerësime pozitive nga ana e specialistëve të atletikes, të cilët kanë besim të plotë se me punën pasionante dhe profesionale në proçesin stervitor nën drejtimin e trajnerit të tij personal, Bruno Rrotani, talenti Franko Burraj do të jetë shumë shpejt mes atletëve më të mirë europiane dhe më gjërë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu