Sunday, December 1, 2024

(Intervista) Situata tek Vllaznia, Drejtori Sportiv i KF Vllaznia Matko Djarmati, pranon krizën, por beson se kuqeblutë ia dalin për trofe ose për kupat e Europës

Lexo

Drejtor, pyetja që mbizotëron sot në gjithë Shkodrën dhe më tej është ajo që çfarë po ndodh me këtë Vllazni që prej disa javësh është tjetërsuar në lojë dhe rezultat në krahasim me ndeshjet e mëparshme ku ishte lider i kampionatit?  

Nuk ishim përgatitur për një krizë rezultatesh. Them rezultatesh sepse pjesa e dytë kundër Teutës ka qenë një lojë shumë e mire, ashtu siç e kemi parë edhe 5-6 javë përpara. Ishim përgatitur që do të vijë një ditë një krizë por nuk kemi menduar të jetë kaq e gjatë sepse tani jemi afërsisht gjashtë javë drejt fundit dhe krahasimi me rezulatet më para është me të vërtetë një krizë, por çdo ditë po studiojmë, shikojmë ndeshjet e vjetra, shikojmë ku kemi mundësi të përmirsohemi dhe shpresojmë me punën që kemi bërë deri tani do provojmë të ndryshojmë fatin kundër Kukësit.

Realisht duhet pranuar se nuk është ajo Vllaznia e javëve të mëparshme. Sipas jush ku qëndron problemi?  

Kemi çdo gjë, lojtarët afërsisht janë njësoj, formacionet, trajnerin, unë jam këtu. Mënyrën e stërvitjes e kemi pak problem sepse si jemi mësuar të luajmë një futboll me shumë takime dhe me pase të shpejta dhe 3 muajt e fundit nuk kemi pasur mundësi t’i aplikojmë as në stërvitje dhe as në ndeshje. Unë nuk kam dëshirë të kërkoj alibi por kur bën një analizë dhe shikon çfarë ka ndryshuar, i vetmi ndryshim është terreni sportiv. Kur kemi filluar kampionatin kishim një fushë shumë të mirë për stërvitje dhe ajo fushë sot nuk është në gjëndje optimale dhe shpresoj tani me kohën e mirë edhe ajo fushë të vijë në një gjëndje më të mirë. Kështu i vetmi ndryshim është fusha sportive asgjë tjetër.

Në fakt edhe disa titullarë me peshë tek skuadra kuq e blu nuk janë në nivelin e mëparshëm.  

Këto lojtarë janë ato që kemi, nuk ka shans që të dëgjoni nga unë ose nga trajneri një gjë kundër lojtarëve tonë. Ne mendojmë se kemi nxjerrur maksimumin nga këto lojtarë dhe do kërkojmë deri në fund të kampionatit të njëjtën gjë. Të mbarojë sezoni i fundvitit, do të bëjmë një llogari dhë të shikojmë kush ka dhënë maksimumin, kush është për vitin tjetër, kush nuk është. Absolutisht jemi të kënaqur me lojtarët që kemi dhe nuk kam asnjë kritikë për to.

Ka pasur reagime edhe për lojtarët e stolit duke aluduar që pankina nuk është në nivelin e duhur por sikur dha një shkëndijë me Teutën lojtarët e stolit.  

Ka pasur shumë pikëpyetje për merkaton e dimrit. Nuk mund të gjesh në merkaton e dimrit lojtar me nivel më të lartë. Unë mendoj se nuk kemi gabuar me merkaton e dimrit, por Cisse ka luajtur në kampionat portugez, Kalezic, Nya-Vedji ka luajtur në kampionatin malazez dhe duhet edhe pak përshtatje për këto lojtarë, por duhet edhe kohë. Mendoj që çdo ditë që stërviten me ne po vijnë në një formë më të mirë se kur kanë ardhur këtu.

Ndërkohë në media flitet edhe për problematikën e rrogave. Ka diçka këtu që ndikon në atmosferën e skuadrës?  

Jo, unë nuk besoj. Rrogat janë zgjidhur, lojtarët janë paguar jo deri në datën e fundit. Por nuk shikoj rrogat sepse sikur të ishte ashtu do isha në dijeni sepse unë jam i pari që lojtarët vijnë dhe diskutojnë për problematikat  dhe më pas unë i diskutoj me drejtuesit më të lartë. Gjithashtu as shitja e klubit nuk është një gjë që lojtarët varen. Këto thjesht janë alibi se pse ekipi nuk po jep në fushë atë çfarë ka dhënë para vitit të ri.

Matko, nga 9 pikë tani diferenca është 1 me ndjekësit më të afërt në klasifikim. Sa e ndjen skuadra presionin e rivalëve, kontkretisht të Teutës, Laçit dhe Partizanit?  

Patjetër ka presion më shumë se kur ishim 9 pikë. Por tani besoj se ka mbaruar gjumi, tani jemi këtu ku jemi. Shpresoj që 15 javët e fundit të kampionatit do luftojmë në mënyrë të barabartë me gjithë këto skuadra për një vend, ose për trofe ose për kupat e Europës.

Mendoni se titulli është i mundur të realizohet nga Vllaznia?  

Jemi në vend të parë, çdo gjë është e mundur, por tani jemi sikur sapo ka filluar sot kampionati dhe jemi vetëm 1 pikë para të gjithëve. Unë jam i sigurtë që do të vijë përsëri ajo Vllaznia që kemi parë para vitit të ri, jam i sigurtë.

Ndërkohë pjesëmarrja edhe në Kupë, sa ndikon tek skuadra? Është në të mirë të javëve të mbetura?  

Deri tani kemi luajtur dy ndeshje shumë të lehta, përsëri kemi një ekip shumë serioz. Ne do bëjmë çdo gjë në një mënyrë profesionale të mos shkojmë në të njëjtat situata në Kupë si Tirana që është eleminuar nga Korabi. Ne do të luajmë në shtëpi kundër një ekipi nga Kategoria e Parë. Absolutisht që jemi favorit dhe shpresojmë të shkojmë më katër ekipet më të mira në Shqipëri.

Ndërkohë përpos asaj që ka pesimizëm për rezulatet ka edhe  nga ato që janë optimist duke theksuar se Vllaznia do të fitojë Kupën dhe Kampionatin.  

Do të ishte shumë bukur por është shumë larg. Kupa do dhe dy ndeshje deri në finale ndërsa Kampionati do dhe pesë javë. Siç kam përmendur dhe më parë kur ishim 9 pikë para, kam thënë gjithmonë objektivi jonë është Kupat e Europës dhe po u realizua mendoj se do të jetë një sukses për Vllazninë.

Gjithë arritjet e javëve të mëparshme të Vllaznisë janë dedikuar punës së mirë të trajnerit Brdariç, por javët e fundit me këto rezultate ka filluar të ketë opinione jo shumë vlerësuese për trajnerin ku kanë shkuar deri aty ku thuhet se nëse thellohet kjo krizë aludojnë se a mund të qëndrojë në vazhdimësi trajneri. Ekziston një frymë e tillë në stafin tuaj?  

Deri tani në takimet që kemi pasur me sponsorin Xhaferi dhe kryetaren e Bashkisë, nuk kemi diskutuar fare për trajnerin, kemi diskutuar vetëm si do dalim nga kjo situatë. Mbi 30 vjet jam edhe unë pjesë e futbollit dhe e di shumë mirë si shkon nga lart ku je kampion i botës e deri në javët e fundit ku nuk ke vlerë asgjë. Vetëm me rezultate në fushë mund të mbyllet goja dhe besoj se do ia arrijmë dhe do kthehet optimizmi.

Në ndeshjen e ardhme ditën e hënë, në Shkodër vjen Kukësi potent me një skuadër të mirëorganizuar por me një problematikë rezultatesh. Si  e vlerësoni këtë pragndeshje?  

Është një ndeshje shumë e vështirë për në. Kukësi vjen pas dy humbjeve, edhe ato kanë shumë presion sepse siç e dini kanë një president shumë kërkues dhe do të provojnë çdo gjë që ta kthejnë rezultatin në favor të tyre. Na duhen vetëm 3 pikët sepse me një barazim ose me një humbje ne dalim në vend të dytë ose të tretë. Do luajmë vetëm për fitore.

Premtuat kthesën në ndeshjen me Teutën por ndoshta mund të jetë me Kukësin kjo kthesë e shumëpritur?  

Nuk e di si do të mbarojë ndeshja, por ne kemi bërë përgatitje shumë të mirë kundër Teutës, pjesa e parë nuk ishte mirë por e dyta për mua ishte ndër më të mirat për vitin 2021 dhe shpresoj të vazhdojmë me Kukësin si me  atë ritmin e pjesës së dytë me Teutën.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img